30 korrik 2015 – Sipërfaqja e tokës, që ndodhet mes zonës së ish-Bllokut dhe që njihet si lokal “Rovena”, tashmë ka pronarë të rinj dhe ata janë deputeti Tom Doshi dhe ish-deputeti Ndriçim Babasi.
Sipas gjykatës, kjo sipërfaqe i është shitur dy poseduesve të rinj, nga Agron Vreto pronari i kësaj toke.
Por ndryshe mendon Rovena Dilo që është mbesa e Agron Vretos dhe pronarja e lokalit që nga viti 1999. Ajo akuzon dajën për vjedhjen e kësaj prone.
'ABC News' ka arritur të kontaktojë me Agron Vreton, i cili sqaron se prona është dhuruar nga babai. Ai tregon se lokali me emrin “Vreto” por që tashmë njihet si “Rovena” ka qenë në bashkëpronësi me mbesën dhe jo trualli.
Edhe avokati i dy pronarëve të rinj, argumenton se Rovena Dilo nuk ka asnjë dokument të pronësisë për këtë truall, duke hedhur poshtë pretendimet se akt-dhurimi është i falsifikuar.
Pavarësisht argumenteve ligjore, këngëtarja Rovena Dilo thotë se do të ndjek të gjithë shkallët e gjyqësorit për të mos liruar këtë pronë.
Por daja i saj, Agron Vreto ka një porosi për mbesën.
“Unë kërkoj që ajo me shpejtësinë më të madhe të largohet, të paktën tani sa të mos bëhet gazi i botës, i Shqipërisë, dmth dhe i Tiranës ku jeton”.
/ABC News/