Itali, 29 korrik 2014  – Mospëlqimi i një ëmbëlsire në një lokal në Ragusa të Italisë, është kthyer në një mollë sherri mes disa vendasve dhe disa shqiptarëve, të cilët janë përleshur duke plagosur 3 persona, mes tyre dhe një vajzë.

Grupi i të rinjve shqiptarë dhe italianë, të cilët u ankuan për ëmbëlsirën, u tërbua teksa të rinjtë e Ragusës, u hodhën në mbrojtje të vëllait të pronarit të lokalit. Videoja tregon pjesëmarrësit në këtë grindje të dhunshme që përdorin shkopinjtë, karriket, shkelmat e grushtat për të goditur njëri tjetrin.

Por ajo që e vuajti më shumë ishte një vajzë, e cila në përpjekje për të ndarë të rinjtë mes tyre, u godit keq dhe përfundoi në tokë me të çara që do t’I mbeten shenja të përhershme. Sherri përfundoi menjëherë pasi të rinjtë dëgjuan sirenat e policies dhe u shpërndanë me shpejtësi.

Policisë ju deshën disa muaj, që nga datë 16 prill kur u regjistrua grindja e dhunshme për të identifikuar personat përgjegjës për këtë grindje masive. Në pranga përfunduan një italian 28 vjeç, C.F, një shqiptar me inicialet A.V., 20 vjeç dhe një tjetër i ri shqiptar Z.V., 27 vjeç.

Dhe të mendosh që grupi i shokëve ishte mbledhur në lokal për të festuar një ditëlindje…

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/