Vrasja e Liridona Ademajt ka tronditur fshatin e saj të lindjes, por edhe gjithë Kosovën. Vëllai i Liridonës ka rrëfyer gjatë për RTK-në krejt atë çfarë ndodhi e çfarë di. “Mamin e harruam në veturë, i kishin thënë fëmijët” dajës së tyre.
Qetësi absolute në fshatin Rracaj të Gjakovës. Rrugë të boshatisura e lëvizje zero. Heshtjen e thyen vetëm zhurma e erës që fryn. Vrasja e Liridona Ademajt ka tronditur fshatin e saj të lindjes, por edhe gjithë Kosovën.
Tek shtëpia e së ndjerës mërzia kishte kapluar çdo gjë. Babait dhe vëllezërve të Liridonës nuk u zihej vendi vend. Të tre qëndronin në oborrin e shtëpisë, duke mos i besuar vrasjes së çikës dhe motrës së tyre.
Njërit prej vëllezërve të Liridonës iu desh kohë të mblidhte forcën e të thoshte krejt atë çfarë ndodhi e di! Duke treguar situatën në tërësi, Leonard Ademaj ka folur ekskluzivisht për RTK-në, ku ka treguar fillimisht çka i ka thënë bashkëshorti i Liridonës, Naimi pasi ajo ishte vrarë.
Një ditë pas vrasjes, Leonardi thotë se Naim Murseli nuk e hapte telefonin.
Dyshimet e tjera, sipas vëllait të së ndjerës, lindën kur Naim Murseli hezitonte ta shikonte trupin e gruas së tij.
“Edhe Naimin e kem marrë edhe shkuam me pa. Po tha mundësinë me pa Liriodnën veç nëse keni probleme shëndetësore mos e këqyrni. Thash jo more unë jam rritë me të, dua me pa. Ai nuk dëshironte me hi me pa. Aty filluan edhe dyshimet tjera. I tha djali i mixhës ec Naim se s’bon kështu ke jetu 13 vjet me të”, theksoi ai.
Leonardi thotë se në ditën e varrimit e ka thirrur në të njëjtin numër, të cilin një ditë më herët Naimi i kishte thënë se ia ka vjedhur grabitësi.
Dyshimi tjetër ishte te gjërat me vlerë që kishte Liridona, për të cilat atë natë ai kishte thënë se iu vodhën.
“Kur shkova në mjekësin Ligjore ne i thanë Naimit, arin edhe gjerat me vlerë çka ka pas Liridona i ke brenda. Nëse hajnat e kanë vjedh, Liridona ka pasur ari shumë, ia kishin marrë arin.Por, jo arin tha e ke këtu”, vazhdon rrëfimin Leondardi.
Ai thotë se vrasja e motrës së tij ka ndodhur brenda veturës.
Por, cilat mund të jenë motivet e këtij akti mizor?
“Çka mundem me ditë, e çka na shkon mendja është se Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind. Ose mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit”, shpreh dyshimin e tij Leonardi.
Familjarët e Liridonës kanë kërkuar zhvarrimin e trupit të saj nga Cermjani dhe varrosjen e saj në fshatin Rracaj, aty ku edhe jetojnë familja e ngushtë.
Leonardi tregon se çfarë i kishin thënë fëmijët në momentin e vrasjes së inskenuar përmes hajnave.
Mamin e harruam në veturë, i kishin thënë fëmijët dajës së tyre.
“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur jam shkuar në polici mu ka ofruar më ka përqaf, dajë tha hajni mi ka lyp paret po unë s’ja kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty”, rrëfen ai.
Në fshatin Cërmjan të familjes së Naim Murselit nuk dëshironte të fliste askush.
Prapa kamerës banorët thonë se prindërit e Naim Murselit kanë udhëtuar për në Suedi.
Për këtë krim, tashmë bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, është arrestuar si i dyshuar që ka urdhëruar me pagesë dorasin për t’ia vrarë gruan.
Ndërkohë policia ka arrestuar edhe personin e tretë që dyshohet se është bashkëpjesëmarrës në këtë krim. Të tretë pritet të dalin para Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin për Krime të Rënda ditën e nesërme.