20 maj 2015 – Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë këtë vit ra në një kohë me fushatën për zgjedhjet vendore. Kjo është shfrytëzuar nga kryebashkiaku aktual, Vangjush Dako, për të bërë premtime në mbështetje të fëmijëve jetimë dhe shtresave në nevojë.
"Ne do të përkujdesemi për fëmijët jetimë dhe shtresat në nevojë, duke zgjeruar shërbimin për këtë kategori shoqërore. Falë vëmendjes sonë për këtë kategori dhe falë investimeve të kryera, sot kjo qendër ka një infrastrukturë të përmirësuar", tha Dako gjatë vizitës së zhvilluar në Shtëpinë e Foshnjës në Shkozet.
Kreu i qytetit bregdetar ka vizitur edhe Qendrën e Zhvillimit Rezidencial për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku aktualisht trajtohen 43 fëmijë, një pjesë prej të cilëve janë jetimë.
Përdorimi i fëmijëve për fushatë ka qenë një ndër kritikat mes palëve politikë. Megjithëse Dako është kreu aktual i Bashkisë e ka shfrytëzuar këtë fakt, duke “lënë mënjanë” fushatën.
Aktualisht, në juridiksionin e Bashkisë së Durrësit, funksionojnë 3 qendra sociale të kujdesit për fëmijët jetimë, 2 prej të cilave, rezidenciale dhe 1, ditore, në të cilat jetojnë rreth 40 vogëlushë që vuajnë mungesën e prindërve.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”