DURRËS, 28 maj 2013 – Bashkia e Durrësit premton se do të zhbllokojë punimet e ndërprera dhe do të çlirojë nga inertet sheshet e rrugët në lagjen nr. 18.

I pyetur nga agjencia e lajmeve "Dyrrah", mbi bllokimin e punimeve në lagjen numër 18 të qytetit bregdetar dhe pikërisht në rrugët “Principata e Balshajve” e “Bukureshti", ka reaguar kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

Banorët kanë ngritur shqetësimin për bllokimin e punimeve, por edhe për zaptimin e shesheve të pallateve nga inertet, të cilat do të shërbejnë për shtrimin e rrugëve.

Kryebashkiaku ka pohuar se nuk ka dijeni për bllokimin e punimeve nga firma tenderuese, por një grup pune do të inspektojë punimet në terren.

"Në atë zonë po zbatohen dy investime të rëndësishme në drejtim të infrastrukturës rrugore por edhe krijimit të hapësirave të gjelbëra. Punimet kanë nisur dy muaj më parë dhe unë nuk kam dijeni që këto punime janë bllokuar që prej një muaji, ashtu sikurse pretendohet. Gjithsesi, pas pasqyrimit të situatës dhe ngritjes së shqetësimit nga ana juaj, do të dërgoj një grup pune për verifikimin e situatës. Nëse vërtet janë ndërprerë punimet, premtoj se ato do të nisin së shpejti. Me qëllim që këto investime të rëndësishme dhe mjaft të domosdoshme për zonën e komunitetin, e cila prej vitesh vuan mungesën e infrastrukturës, synohet të përbyllen brenda një afati të shkurtër kohor", u shpreh kryebashkiaku i Durrësit. 

Në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Durrës, mësojmë se një situatë e tillë ndotjeje sjell pasoja të rënda në shëndetin e banorëve.

Sipas drejtores së këtij institucioni Lida Boshku, nga ana e institucioneve përgegjëse duhet të merren masa të menjëhershme për pastrimin e zonës, largimin e inerteve e mbeturinave urbane, të cilat paraqesin nivel të lartë ndotjeje.

"Inertet dhe mbeturinat urbane, por gjithashtu edhe ujërat e ndotura, të cilat rrjedhin në rrugë e në hapësira publike, ku qëndrojnë fëmijë e të rritur, shkakton probleme serioze për shëndetin e komunitetit. Pikërisht këta persona, mbeten më të ekspozuar ndaj sëmundjeve infektive. Përballë kësaj situate kërkohet ndërhyrja e institucioneve përkatëse, me qëllim pastrimin e zonës" u shpreh në fjalën e saj Boshku. 

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/