Pas Arta Dades, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka marrë sërish fjalën në punimet e Kongresit duke dalë dhe një herë hapur kundra Ben Blushit.
Dako tha që nuk është e nevojshme të mbahet një referendum sepse i ka lindur dëshira Blushit të bëhet kryeministër. Sipas Dakos, Rama është zgjedhur në krye të kësaj qeverie nga votat që mori në 2013-n nga populli, dhe nuk të bën statuti kryeministër.
Fjala e plotë e Dakos:
"Neni 92 e ka shprehur shumë qartë që statuti i 2011-s është fuqizuar. Po ta shikoni nenin 92 është shkruar e bardha mbi të zezë. Pak më parë, ne të gjithë me 3 vota kundër e miratuam statutin dhe për mua statuti është i miratuar dhe pastaj fjala e kryetarit që të bëjmë referendum, mua më duket se do që t’i bëjë qefin Ben Blushit, po nuk do të thotë që do të bëjmë referendum. Për arsye sepse statuti nuk e përmban që ne të bëjmë referendum, statutin e miratuam. Tani në qoftë se duam të largojmë kryetarin, i jepet gjithë mundësia grupit parlamentar, ka gjithë mundësinë anëtarësia e partisë për ta shkarkuar kryetarin, por jo Ben Blushi për ta shkarkuar. Ne nuk mund të vazhdojmë të merremi me statutin se do Ben Blushi të bëhet kryeministër.
Kemi gjithë këtë kohë që merremi me statutin, që të thuash ti që statuti të bën kryeministër. Është vota e popullit, është mbështetja që na dha populli në 2013-n që të bën kryeministër. Nuk të bën statuti."





