Kreu i bashkisë deklaron se në draft buxhetin që do të prezantohet javën e ardhshme do të garantohen fondet për mbarëvajtjen e sezonit turistik, por do të ketë reduktime të ndjeshme në investime.
Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka akuzuar të djathtët në këshillin bashkiak se po përpiqen që të sabotojnë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. Sipas Dakos,- “e gjithë strategjia për të bllokuar Këshillin Kulturor ka pas një prapavijë të qartë politike, sipas të cilës synohen që të digjen fondet për këtë aktivitet kulturor me përmasa rajonale.
Përfaqësuesit e PD-së po synojnë që të ndryshojnë përbërjen e këshillit të kulturës, kur dihet se këtë këshill e propozon kryetari i bashkisë dhe e miraton këshilli bashkiak”. Duke iu referuar dhe çështjes që ka të bëjë me vonesat në prezantimin e draft buxhetit të këshillit bashkiak, Dako ka deklaruar se prezantimi i projektit për draft buxhetin është vonuar për arsye teknike.
“Javën e ardhshme do të bëhet prezantimi në këshill, në një kohë që me resurset që ka ky buxhet rrezikohen të mos realizohen disa investime të rëndësishme për qytetin”. Duke e argumentuar këtë çështje, kreu i bashkisë ka shtuar se “tarifat e ulëta të miratuara në paketën fiskale dhe mungesa e të ardhurave për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit prej të cilave bashkia merrte 3%, ka limituar maksimalisht fondet për këtë institucion”,- tha kryebashkiaku.
Duke i konkretizuar pasojat e këtyre dy faktorëve në buxhetin e Bashkisë së Durrësit, Dako ka shtuar se nëse të gjithë qytetarët durrsakë do të paguanin 14 mijë lekët e vjetra të taksave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin e qytetit, me tarifat aktuale do të mbuloheshin vetëm një përqindje e vogël e shpenzimeve që duhen për të garantuar këtë proces. Më konkretisht, për ndriçimin e qytetit kërkohen 510 milion lekë në vit, në një kohë që nëse do të paguanin të gjithë qytetarët me taksat aktuale do të arkëtoheshin rreth 70 milionë lekë (de facto aktualisht arkëtohen 25 milionë lekë).
Në lidhje me çështjen që ka të bëjë me faktin nëse do të garantohet apo jo sezoni turistik për sa i përket shërbimeve dhe mirëmbajtjes së plazheve, Dako bën të ditur se pavarësisht fondeve ekzistuese do të garantohet pastrimi dhe gjelbërimi i qytetit dhe zonave turistike, në një kohë që do të ketë mungesa në investime.