8 nëntor 2015 – Pas akuzave të ngritura nga opozita, në deklaratë për mediat kanë dalë gjeneral Ylber Dogjani, komandant i Forcave Detare, dhe kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Dogjani ka thënë se ndotja është e nivelit shumë të ulët dhe situata po monitorohet nga ajri me helikopterë, e nga deti me anije. Ndërsa, Dako i ka ftuar qytetarët të vijnë në plazh sepse falë ndërhyrjes, plazhi është i pastër. 

“Janë vënë në dispozicion të kësaj detyre anije patrulluese dhe pastruese. Nga komanda e forcës ajrore janë vënë edhe helikopterë për monitorimin e të gjithë vijës bregdetare. Nga monitorimi me helikopter, nga Currilat deri në Golem, rezulton se mund të ketë ndotje të pjesshme si rezultat i ndotjes së djeshme. Sot që flasim, anija shndotëse po punon përballë sektorit Iliria, duke thithur mbetjet e hidrokarbureve, për pastrimin e një zone 20 metra gjerësi e gjatësi, por kjo nuk përbën problem sepse karbohidratet do shpërbëhen.

Kemi bërë kufizimin e zonës së ndotur dhe po bëhet pastrimi konkret, mbetjet po i hedhin në fuçi, ndotja është e lehtë, jo e konsiderueshme. Detyra jonë është monitorimi dhe kryerja e të gjithë procedurave për pastrimin e zonës, po kështu kemi vënë 35 trupa në dispozicion për pastrimin e bregut të detit së bashku me forcat e bashkisë”, deklaroi komandanti Ylber Dogjani.

Dako: Plazhi është tërësisht i pastër, ftoj qytetarët ta vizitojnë

“Vija bregdetare e plazhit të Durrësit është tërësisht e pastër, kjo falë ndërhyrjes së ushtrisë dhe të punonjësve të komunales. Janë forcat e ushtrisë për sa i përket monitorimit të detit, që kanë parë se situata është pozitive. Ne jemi në gatishmëri dhe e njohim mirë situatën. Këto raste janë për t’u ndëshkuar, organet të gjejnë fajtorët e t’i çojnë para drejtësisë. Ne e mbajmë pastër vijën bregdetare jo vetëm në verë, por edhe në çdo stinë. I ftoj qytetarët të vijnë e të vizitojnë plazhin”, u shpreh Dako.

/K.H. portali DurresLajm/