Kryebashkiaku pranon problemet me buxhetin, që po kushtëzojnë investimet

Sipas nr 1 të bashkisë, këshilltarët e PD-së po vendosin shkopinj nën rrota në këshillin bashkiak

Në një intervistë për gazetën “Dyrrah”, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka komentuar ecurinë e institucionit që ai drejton në harkun kohor të këtij viti, si dhe marrëdhëniet me pushtetin qendror. Vitin që po lëmë pas Dako do ta konsideronte si një vit të fitores elektorale dhe të investimeve për bashkinë e qytetit të Durrësit, në një kohë që do të pranonte dhe problemet nga gropat e krijuara në buxhet.

Z.Dako, si do ta përkufizonit vitin 2011, përsa i përket ecurisë së institucionit që ju drejtoni?

Mund ta konsideroj si një vit të fitores elektorale dhe investimeve të realizuara. Mund ta konsideroj si një vit nga më të suksesshmit përsa i përket realizimit të premtimeve që ju dhamë qytetarëve. Ky vlerësim u përkthye me votë dhe kjo na bën më të përkushtuar për të realizuar premtimet elektorale. Për të qenë më konkret mund t´ju them se gjatë vitit 2011 filloi puna për reabilitimin e sheshit të stacionit të trenit, një investim që synon t’i ofrojë një koncept krejt të ri kësaj zone, si për nga funksionimi, por edhe në lidhje me hapësirat e reja të rehabilituara më parë si hyrja e Durrësit. Ky projekt do ta trasformojë këtë shesh jo vetëm në një vendqëndrim per autobuzët dhe taksitë sipas konceptit të një terminali të një qyteti europian, por do të jetë edhe një zonë e këndshme qëndrimi për qytetarët duke shtuar hapësirat e qëndrimit, do të ketë dy shatërvanë te vegjël, pemë, vende pushimi etj. Ky investim përfundon brenda muajit shkurt 2012. Investimi tjetër në bulevardin “Dyrrah” do të përfundojë brenda muajit shkurt 2012. Realizimi i këtij projekti do ta transformojë këtë bulevard në një zonë atraktive për qytetarët e Durrësit ashtu si dhe sheshi Demokracia (sheshi ku ndodhet busti i Azem Hajdarit), ku do të rriten hapësirat për këmbësorët dhe do të ketë më pak makina pa penguar lëvizjen e tyre sigurisht. Elementët teknologjikë dhe materialet që janë përdorur në të dy këto investime mund të themi pa dyshim që janë risi jo vetëm për qytetin, por ndoshta edhe në rang kombëtar. Po kështu, ka filluar ndërtimi i një shkolle të mesme të re në zonën e ish-Kënetës. Me fillimin e vitit të ri shkollor kjo shkollë do të jetë krejtësisht efektive. Ndërtimi i një rruge krejtësisht të re nga ish-Dogana Shkozet te Frigoriferi në Plazh. Kjo është një rrugë krejtësisht e re, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, por që është mjaft e rëndësishme se lehtëson mjaft trafikun dhe ndihmon për të lidhur zonën e e Shkozetit me Plazhin, sidomos në sezonin e verës. Gjithashtu i rivitalizon te gjithë këto zona si dhe pronat e të gjithë banorëve që jetojnë në kto zona ku kalon kjo rrugë. Rehabilitimi i shesheve të pallateve tek lagjia nr.12 përfundon brenda fundit të muajit. Këtu janë sistemuar hapësirat e pallateve me parkime, zona të gjelbërta, stola për pushim si dhe janë sistemuar dy rrugë të brendshme.

Në fakt disa nga premtimet elektorale që bëtë në fushatën e fundit nuk po realizohen, pishina psh. Ç’mund të na thoni?

Unë mendoj se jemi brenda mandatit dhe se ka pasur disa faktorë konkretë që na kanë penguar në këtë drejtim. Kufizimi i fondeve nga mos funksionimi i KRRT-së dhe faktorë të tjerë kanë frenuar këto investime. Gjithsesi mund të them se ato që kemi premtuar do të realizohen.

Z.Dako, nga ana e Prefektit ka pasur kritika për mos bashkëpunim në lidhje me periudha të tilla si sezoni turistik etj.

Bashkia e Durrësit gjithmonë ka pasur në themel të saj frymën e bashkëpunimit ,por ka qenë pushteti qendror që na ka vënë shkopinj nën rrota. Kujtojmë se ç´na bëri me rrugën e re hyrëse të qytetit, investimet në qendër apo me portin e peshkimit. Në këtë sens mendoj se reagimet e Prefektit janë të pabaza dhe politike.

Si e vlerësoni klimën aktuale të bashkëpunimit me pushtetin qendror?

Mendoj se shenjat nuk janë të mira. Gjatë këtij viti, sidomos në periudhën pas zgjedhore administrata e bashkisë ka hasur në pengesa te mëdha nga ana e këshilltarëve të PD-së në këshillin e ri bashkiak. Vetëm në muajin tetor 2011 u aprovua buxheti i Bashkisë për vitin 2011. Në dy mbledhjet e fundit të këshillit bashkiak, maxhoranca (PD) ka bllokuar aprovimin e këshillit kulturor të bashkisë dhe ka arritur deri aty sa të braktisë sallën. Ata kërkojnë që nga një organ kulturor ta kthejnë në një instrument politik. Tregues i këtyre pengesave është dhe mbledhja e fundit e këshillit bashkiak që u mbajt të martën në datë 20 dhjetor, ku maxhoranca pasi humbi dy votime në lidhje me dy projekt vendime të paraqitura nga administrata e Bashkisë (njëri nga të cilët tepër i rendësishëm se lidhej me ecurinë e projektit të ndërtimit të banesave sociale dhe ata votuan kundër) braktisi mbledhjen dhe tani nëpërmjet sekretares së këshillit bashkiak kërkon të manipulojë rezultatin e votimit, por nuk do ta realizojnë dot se ne kemi materiale filmike që paraqesin te gjithë proçesin. Pengesa më e fundit është në diskutimin e  Paketës Fiskale. Mund të them se që në datë 12 dhjetor i kemi dorëzuar sekretares së këshillit materialin. Kryesia e këshillit, me përfaqësuesit e të gjithë grupeve politike, vendosi të mblidhej dhe mbledhja e këshillit do të mbahej me datë 22.12.2011 ora 17.00. Aktualisht krejt papritur nga ana e përfaqësuesve të PD-së ndryshohet kjo datë dhe shtyhet pa afat për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë që Bashkia nuk mund të fillojë nga puna për përgatitjen e buxhetit për vitin 2012, pasi nuk mund të ketë dokumentin kryesor për përgatitjen e këtij materiali.

Si paraqitet buxheti i bashkisë së Durrësit aktualisht?

Mendoj se kemi një gropë të madhe në buxhet. Mosfunksionimi për një kohë të gjatë i KRRT-së shkaktoi një dëm prej rreth 360 milion lekë të reja mos realizime, në një kohë që dhe ligji i ri për Urbanistikën na sjell po kështu pasoja të rënda. E kam thënë dhe më parë që qeveria duhet të na kompensonte ose të na jepte një mundësi tjetër për fonde. Pasojat e kësaj situate prekin investimet.

Së fundi, cili do të ishte urimi juaj me rastin e festave të fundvitit?

Unë do të uroja të gjithë qytetarët durrsakë “Gëzuar festat” dhe do të uroja më tepër mbarësi, harmoni dhe shëndet në çdo familje. Së bashku do të punojmë për ta bërë më të mirë Durrësin tonë të lashtë dhe të ri njëkohësisht.