24 qershor 2015 – Vangjush Dako i cili ka fituar mandatin e tretë në krye të Bashkisë ka falënderuar të gjithë qytetarët e Durrësit që i dhanë besimin maksimal për të vazhduar në transformimin e qytetit dhe shndërrimin e Durrësit në një qytet evropian.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka fituar me një diferencë të thellë prej 13 710 votash duke marrë kështu një fitore plebishitare, të cilën vetë kryebashkiaku Dako e quan një përgjegjësi edhe më të madhe në punën për drejtimin e Bashkisë që tashmë ka të përfshirë në territorin e vet përveç qytetit të Durrësit edhe zonat e Ishmit, Manzës, Katundit të Ri, Sukthit dhe Rrashbullit.

Kryebashkiaku Dako i cili është takuar me qindra qytetarë përpara Bashkisë në sheshin ‘Liria’, pasi ka falënderuar qytetarët për besimin, partnerin strategjik LSI dhe partitë aleate të koalicionit të ASHE-së, ka theksuar se do të punojë me përkushtim për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim.

“Falënderoj të gjithë qytetarët e Durrësit dhe u uroj të gjithëve suksese të përbashkëta. Falënderoj të gjithë ata që më votuan dhe që më mbështetën gjatë gjithë fushatës dhe me votën e tyre bënë të mundur një fitore kaq të thellë. Falënderoj të gjitha partitë aleate të koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane që më përkrahën fuqimisht, falënderoj partnerin tonë strategjik LSI-në që më mbështeti fuqimisht dhe kjo fitore e thellë tregoi se çfarë mund të bëjnë dy forcat tona së bashku, falënderoj FRD-në dhe PDIU-në që dhanë kontribut të rëndësishëm në fitore.

Qytetarët e Durrësit me votën e tyre treguan se dinë të vlerësojnë punën dhe se kriteri për votën është vetëm puna dhe jo fjalët dhe ky ishte mesazhi i fortë që dhanë në këto votime të gjithë qytetarët e Durrësit. Kjo fitore plebishitare është një kënaqësi, por edhe një përgjegjësi  e madhe dhe të jeni të sigurt se të gjitha ato premtime që kemi bërë në fushatë do t’i bëjmë realitet dhe do të punojmë për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim, sepse për ne qytetarët janë të gjithë njësoj dhe ne do t’u shërbejmë të gjithëve me përkushtimin maksimal”, është shprehur kryebashkiaku i Durrësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/