Pavarësisht se Vangjush Dako e dorëzon mandatin e tij të tretë në 30 qershor të muajit të ardhshëm, as ai dhe as administrata nuk i kanë lënë pas dore punët përsa i përket sezonit turistik.

Si asnjëherë më parë, kreu aktual i bashkisë ka dhënë vetë llogari përmasat e marra për sezonin turistik në vijën bregdetare që mbulon bashkia e Durrësit nga Gjiri i Lalëzit deri në Golem.

Para ministrit të mjedisit, Blendi Klosi, dhe të gjithë titullarëve të pushtetit lokalm Dako është ndalur tek masat që janë marrë për të pritur pushuesit këtë sezon turistik.

Dako tha se ka angazhuar të gjithë ndërrmarrjet për të ndërhyrë, ndërsa në bashkëpunim me operatorët turistik dhe me eksperiencën e akumuluar në vite pritet të rritet suksesi. “Në zonën e Shkëmbit të Kavajës për herë të parë,– tha Dako,- është investuar në rrjetin nëntokësor e mbitokësor të kuartalleve dhe rrugëve. Është mbyllur investimi për rrjetin elektrik dhe në përfundim është shëtitorja bregdetare që i shërben të gjithë zonës. Janë 1500 dhoma hoteliere që i shërbejnë industrisë së turizmit”.

Po kështu, kreu aktual i bashkisë tha se në fund të muajit qershor do të ketë përfunduar edhe problematika me ujërat e zeza në qytet, me ndërtimin e kolektorit kryesor që nis nga lagjja nr.1 dhe përfundon në ish-Kënetë. Edhe në Gjirin e Lalëzit, Dako tha se është kryer një investim shumë i rëndësishëm në rrjetin e kanalizimeve. Një tjetër vëmendje e shtuar u kushtohet hapjes së qendrave shëndetësore në plazhin e Durrësit.

K.H.