19 shtator 2013-Kryeministri Rama organizoi mbrëmë një darkë me anëtarët e Kryesisë socialiste në qytetin e Durrësit. Dy nga anëtarët e Kryesisë socialiste munguan në këtë darkë kortezie, me rastin e fitores së zgjedhjeve dhe nisjes nga puna të qeverisë së re pas tetë viteve në opozitë. Ben Blushi dhe Erjon Braçe nuk ishin dje në darkën e shtruar nga kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i ri i vendit. Ben Blushi është parë mbrëmë në restorant “Artisti” me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Deputeti socialist ishte i vetmi nga Grupi Parlamentar socialist që në debatin për programin e qeverisë së majtë ishte kritik dhe me kërkesa ndaj qeverisë së partisë së tij. Madje, Blushi nuk kurseu kritikat e tij dhe në lidhje me lënien në mënyrë vullnetare të mandatit të deputetit nga ministrat e rinj, si një kërkesë e papërcaktuar në ligj apo Kushtetutë.
Duket se darka është zhvilluar enkas për të falënderuar kryesinë e Partisë Socialiste, kryesisht senatorët e saj, të cilët mbetën jashtë kabinetit qeveritar. Pandeli Majko, Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Arta Dade, Valentina Leskaj, Bashkim Fino, Arben Isaraj, Besnik Bare, Blendi Klosi janë anëtarët e Kryesisë socialiste që kanë mbetur jashtë qeverisë, ndërsa shumica e sekretarëve janë përfshirë në të. Për shkak të mbledhjes së qeverisë së zhvilluar dje pasdite dhe ceremonisë së hapjes së Dhomës Kineze të Tregtisë në Tiranë, darka nisi rreth një orë me vonesë.
Lajmërimet ishin bërë për takimin në orën 20:00 në hotel “Leonardo” te Shkëmbi i Kavajës në Golem.Rama, me anëtarët e kryesisë, u gostitën nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili shtroi edhe darkën në hotel “Leonardo”.Në ambientet e hotelit mbërritën të parët deputetët Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Arta Dade, Bashkim Fino, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Taulant Balla etj. Atyre u është dashur të presin Kryeministrin Rama për rreth një orë për shkak të aktiviteteve që ai kishte në Tiranë.
Mësohet se darka është mbyllur pas mesnate, ndërsa Rama pritet të niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në një takim të fondacionit “Bill Klinton”, i ftuar nga ish-kryeministri britanik Toni Bler e më pas do të marrë pjesë në seancën plenare të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.





