Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputete, Milva Ekonomi dhe kandidaten Klodjana Spahiu zhvilluan një takim me banorët e zonës së ish-Kënetës.
Duke kërkuar votën e banorëve për një mandat të dytë qeverisës të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, Dako solli në vëmendje reformat e ndërmarra në këto 44 muaj qeverisës duke theksuar se ka ende shumë punë për t’u bërë.
“Ju jeni dëshmitarë të reformave të thella që kjo qeverisje ka marrë. Janë reforma të cilat kanë prekur çdo qytetar dhe do të vazhdojmë me reforma të tilla për të përmirësuar çdo ditë e më shumë jetën e qytetarëve. Na duhet dhe një mandat i ri, dhe katër vite të tjera për të vazhduar këto reforma, për të vazhduar punët e mira që kemi bërë së bashku sepse realisht kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh Dako.
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës, u shpreh i bindur se zona e Ish-Kënetës, do të votojë për Partinë Socialiste më 25 Qershor “sepse e shikoni që punët e Edi Ramës janë punë për komunitetet, janë punë në shërbim të qytetarëve pa dallim, janë punë që i kanë shërbyer vetëm Shqipërisë”.
Kryebashkiaku solli gjithashtu në vëmendje edhe investimet që Bashkia Durrës ka bërë në këtë zonë.
“E kemi patur këtë zonë në qendër të vëmendjes sepse kemi menduar që të gjithë njerëzit nga qendra deri në periferi duhet të jetojnë njësoj, i kemi shërbyer të gjithëve njësoj dhe ju jeni dëshmitarë të këtyre ngjarjeve”, theksoi Dako.
Nga ana e saj, ministrja Ekonomi tha se reformat e ndërmarra në këtë mandat të parë i kanë shërbyer shtet formimit teksa u shpreh se bindur se Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama janë të vendosur për ta çuar deri në fund rrugën për një ekonomi dhe shtet më të fortë.
“Reformat i kanë shërbyer mirëqenies, shtetformimit dhe demokracisë në vendin tonë. Në qoftë se ne mendojmë për ekonominë, për mirëqenien dhe për shtetin, jemi vendosur deri në fund t’i çojmë këto gjëra përpara. Besoni te vullneti që kemi, merrni pjesë në votime dhe votoni numrin 2”, u shpreh Ekonomi.





