Vangjush Dako mbetet jashtë strukturave të larta drejtuese të PS-së. Prej vitesh pjesë e kryesisë së PS-së (madje vijoi të ishte edhe pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”), pas votimit të sotëm, Dako nuk është rizgjedhur më pjesë e organit më të lartë drejtues të Partisë Socialiste.

Megjithëse ishte i pranishëm në takimet elektorale dhe mjaft aktiv gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, madje një pjesë e mirë e fitores së PS në Durrës është edhe falë mbështetjes së madhe që ai gëzon mes socialistëve durrsakë, Dako ka ikur sot pa zhurmë e bujë nga kryesia e PS.

Duket se Rama ka zgjedhur ta “zhveshë” zyrtarisht nga të gjitha funksionet në parti, megjithëse në kulmin e zhurmës mediatike për shpalljen “non grata” të ish-kryebashkiakut të Durrësit, kryeministri deklaroi qartë dhe pastër se: “Vangjush Dako do të mbetet miku im edhe sikur të shkojë në burg”.

Pas dorëheqjes nga mandati i deputetit një ditë më parë i Lefter Kokës, mos përfshirja e Dakos në kryesi duket si një distancim i Ramës nga dy prej figurave më të rëndësishme politike në Durrës prej shumë vitesh.

Rama rikonfirmoi në detyrë Adrian Çelën si drejtues politik i qarkut, angazhim të cilin ia caktoi disa muaj para zgjedhjeve. Çela është një nga njerëzit më të afërt të Dakos në Durrës, madje kushdo e kujton përqafimin e shkëmbyer mes tyre në Pallatin e Sportit, pasi përfundoi së numëruari kutia e fundit e votimit.

Mbetet për t’u parë në vijim nëse ky largim nga politika aktive e dy prej politikanëve durrsakë më të fuqishëm në qytetin bregdetar (secili prej tyre ka grupet e influencës), do të shndërrohet më vonë edhe në një ndërprerje të impaktit të tyre në zhvillimet politike e jo vetëm në qytetin bregdetar.

Në skakierën politike, Rama është i vetëdijshëm për ndikimin në elektorat të secilit prej tyre dhe meqë PS ka nisur të punojë që tani për zgjedhjet lokale të vitit 2023, kryeministri nuk pritet të bëjë një ndarje përfundimtare as me Dakon dhe as me Kokën.

Largimi i Dakos nga kryesia e PS-së duket edhe si një tolerim që Rama i bën Kokës dhe të tijve, sepse pavarësisht se më 25 prill dukej se qëllimi ishte i përbashkët, fitorja e 8 mandateve, secili nga dy ish-kryebashkiakët e qytetit bregdetar “luftonte” për t’i treguar kryetarit të tyre se kush është Njëshi në Durrës. Me Adrian Çelën sërish drejtues politik, Dako duket se tani për tani mbetet i plotfuqishëm në Durrës.

M.B.