11 qershor 2015 – Stacioni i radhës në maratonën parazgjedhore të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Durrësin, Vangjush Dako, ka qenë te Lagjia nr. 8 e qytetit. Në bashkëbisedimin me banorët e kësaj lagjeje, Dako tregoi se sfida më e madhe e mandatit të ardhshëm është punësimi dhe lufta kundër varfërisë.

Duke i cilësuar papunësinë dhe varfërinë si armiqtë më të mëdhenj, Dako ka shpjeguar projektet konkrete të bashkisë së re për zbutjen e tyre gjatë 4 viteve të ardhshme, ku me ndërtimin e Parkut Industrial në zonën e Spitallës në bashkëpunim me Qeverinë, do u jepet zgjidhje këtyre problemeve.

“Armiku ynë është papunësia! Armiku ynë është varfëria! Ne na duhet t’i luftojmë, si papunësinë ashtu edhe varfërinë, nëpërmjet projekteve që synojnë zbutjen e tyre. Dhe një nga projektet më të mëdha që do të sjellë zhvillim, është krijimi i vendeve të reja të punës. Jo larg prej këtu, në zonën e Spitallës, do të ndërtohet një Park Industrial, një zonë e lirë ekonomike, e cila do të krijojë mijëra vende pune”, tha Dako.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/