DURRËS, 3 mars 2015 – Këtë të martë në Durrës u mbajt një aktivitet rutinë për policinë e shtetit. Aktivitet tipik me OJQ-të, ku tregoheshin përralla me retorikën e zakonshme për lidhjet e policisë me komunitetin, për rininë, që duhet të bëjë kujdes etj..
Në këtë aktivitet rutinë, krahas ministrit Tahiri merrte pjesë edhe Ambasadorja e re e Brukselit (BE) zj. Vlahutin.
Interesimit të gazetarëve për skandalin “Doshi”, z. Tahiri iu përgjigj me shprehjen diplomatike: " Nuk kam asnjë koment".
Pas kësaj përgjigjeje kemi të drejtë të themi në mënyrë figurative se Tahiri ministër la “dasmën” e Doshit në Tiranë për të mbledhur “shkarpa” OJQ-je në Durrës.
Aktiviteti nuk përbënte asnjë lajm, deri në momentin, kur fjalën e mori kryebashkiaku Dako. Në vend të frazave standard si tullat e Nish Tullës së dikurshme, Vangjushi i surprizoi pjesëmarrësit. Ai në mënyrë figurative hoqi kostumin e rëndë zyrtar të kryebashkiakut dhe veshi petkun e prindit të dhembshur e të dashur. Ai të rinjve nuk u mbajti fjalime moralizuese po aq të pashijshme, sa supa e spitalit.
Vangjushi, me fjalë zemre u tregoi adoleshentëve pjesëmarrës në aktivitet fatkeqësinë, që pësoi i biri në prag të Vitit të Ri në një aksident, ku ishte ndërhyrja e dorës së Zotit, që i shpëtoi jetën. Babai Vangjush, jo kryebashkiaku Dako, duke u nisur nga shembulli i dhimbshëm i të birit i këshilloi të rinjtë të bëjnë kujdes në timon. Vangjushi njerëzor bëri një përshtypje shumë të mirë ndër të pranishmit veçanërisht tek të rinjtë. Qëndrimi modest dhe marrja e përgjegjësisë nga babai Vangjush për punën e dobët të Kryebashkiakut Dako për sinjalistikën rrugore ishte diçka e sinqertë, e dalë nga zemra, që pati një rezonancë pozitive nga adoleshentët.
Kësaj radhe pjesëmarrësit panë atë Gjushin e vjetër të vitit 2007, modest, gojëëmbël, që u shtrëngonte dorën e u buzëqeshte njerëzve të njohur e të panjohur. Me sa duket, “ndryshku”dhe konsumimi i dy mandateve pushtet të Kryebashkiakut Dako, ende nuk e kanë konsumuar njeriun e mirë, Gjushin pozitiv të vitit 2007. Le të shpresojmë, që kryebashkiaku durrsak “mea culpa-n” e vet për sinjalistikën e rrugëve të Durrësit ta shndërrojë në plan për veprim. Anglezët kanë një proverb: veprat flasin me zë më të lartë se fjalët.
Z. Kryebashkiak, fjalët i kishe të sinqerta të dala nga zemra. Bukuri! Tani kalo në vepra, investo për sinjalistikën rrugore, se fundi i fundit ajo e bekuara sinjalistikë kërkon shumë kujdes dhe impenjim e pak fare pak fonde. Kryetari Dako duhet të veprojë që “baballarët Vangjushër”, larg qoftë të mos e kalojnë natën e Vitit të Ri në spital pranë fëmijës së aksidentuar ndër të tjera, edhe për shkak të mungesave në sinjalistikën rrugore të qytetit tim. Z. kryebashkiak ka ardhur koha që normalisht paratë e taksapaguesve shqiptarë, e taksapaguesve durrsakë të mos harxhohen vetëm për beton e palma, por edhe për sinjalistikë, sepse jeta e fëmijës vlen ku e ku më shumë, se sa paratë e fituara nga betoni e palmat.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





