Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Klodjana Spahiu dhe Alban Ramohitaj zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 4.

Në fjalën e tij, Dako u ndal te reformat e ndërmarra nga qeveria në këto 44 muaj duke e vënë theksin te reforma në drejtësi. Dako shprehu bindjen se ashtu siç Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama punuan për miratimin e reformës në drejtësi, ashtu do të punojnë edhe në mandatin e dytë qeverisës për të rritur punësimin dhe mirëqenien.

“Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe të jeni të sigurt që ashtu siç punuam fort për të miratuar reformën në drejtësi do të vazhdojmë edhe këto katër vite për të punuar më fort për punësim dhe për mirëqenie”, theksoi Dako.

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, për një mandat të dytë qeverisës me mbi 71 mandate. “Ne kërkojmë një mandat qeverisës me mbi 71 mandate jo për pushtet, por kërkojmë përgjegjësi. Dhe të jemni të sigurtë që pas katër vitesh ne do të ballafaqohemi me punët e qeverisjes së Edi Ramës”, theksoi Dako.

Nga ana e saj, kandidatja Spahiu tha se në mandatin e parë, me vullnetin e kryeministrit Edi Rama, u ndërmorën reforma që nuk ishin bërë për vite me radhë. “Kemi shumë arsye për të mbështetur Partinë Socialiste, jo vetëm ne që jemi pjesë e saj, por edhe qytetarët, edhe banorët e Durrësit. Në 44 muaj është bërë një përpjekje maksimale nga kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, për të bërë ato gjëra që nuk ishin bërë në shumë vite me radhë”, u shpreh Spahiu.