Nga Mila Ballhysa
Lajmi që nisi të qarkullonte të hënën në media se kryeministri Rama do të braktisë listën e kandidatëve për deputetë të Vlorës për t’u përfshirë në atë të Durrësit u shoqërua me komente të ndryshme nga banorët e qytetit 3000-vjeçar. Deri tani nuk ka asgjë zyrtare dhe vetë Rama nuk ka reaguar mbi këtë shkrim që u publikua për herë të parë në mediet opozitare.
Logjikisht, Rama vetë mund të jetë duke e menduar një gjë të tillë, nëse nuk e ka vendosur ende. Vetë kryeministrit mund t’i vijë për shtat përfshirja e tij në listën e Durrësit, kjo dhe për të shmangur polaritetin që ekziston mes të majtës durrsake, të ndarë mes njerëzve të Vangjush Dakos dhe Lefter Kokës.
Në 2007, Koka do të shtrëngonte duart me Dakon që e pasonte në postin e kryebashkiakut të ri të Durrësit. Më pas, gjërat mes të dyve do të komplikoheshin, sidomos në zgjedhjet parlamentare, ku Koka garonte nën siglën e LSI për të fituar një mandat deputeti, ndërsa Dako fokusonte vëmendjen e tij për të shtuar zonat e influencës së PS-së. “Lufta” u bë më e fortë në zgjedhjet e vitit 2017, kur garohej edhe mes Hipotekës dhe ALUIZNI-t kush do të bënte më tepër legalizime në zonat rurale e periferike, të cilat përktheheshin në vota për PS apo LSI. Pikërisht në këto zgjedhje, LSI-ja durrsake e drejtuar nga Lefter Koka do të merrte për herë të parë dy mandate deputeti, megjithëse vetë Koka u mund nga PS në bastionin e tij, Spitallën. Në atë kohë u fol se ish-drejtori i ALUIZNI-t. Flamur Gjuzi luftoi fort për vota, sepse renditej i treti në listë, por mandatin e fitoi ish-deputetja Nora Malaj dhe kjo krijoi krisjen Gjuzi-Koka.
Forca e LSI-së në Durrës erdhi duke u bjerrur, pas shkurtit të vitit 2019, kur opozita dorëzoi mandatet dhe deputeti Koka refuzoi ta bënte një gjë të tillë. Përjashtimi i Kokës nga partia solli për pasojë dhe “shkrirjen” e degës së LSI, sepse partia e Metës dhe tashmë e Kryemadhit është identifikuar që në fillim me Kokën në qytetin bregdetar.
“Bashkëjetesa” mes Dakos dhe Kokës u shfaq qartë në zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar, kur drejtorë dhe funksionarë të LSI-së u përfshinë në listën e Këshillit Bashkiak Durrës nën siglën e PS-së. Por akordi i arritur mes të “mëdhenjve” të politikës durrsake shkaktoi hatërmbetje mes bazës socialiste, pasi shumë prej tyre i kanë ende të forta në kujtesë përplasjet e viteve të kaluara për vota. Për këtë arsye duket se Rama po mendon zhvendosjen e tij në listën e Durrësit. Me kryeministrin në krye të listës dhe gjithë enturazhin e tij të propagandës nga mbrapa do të jetë shumë e vështirë për çdo socialist të ndershëm të shfaqë pakënaqësinë e tij. Gjatë viteve në pushtet, Rama ka ditur të tregojë në shumë raste lidhjen e ngushtë që ka me Dakon dhe Kokën.
Pikërisht në kulmin e akuzave të opozitës dhe kërkesave të vazhdueshme për arrestimin e Dakos, pas publikimit të përgjimeve të dosjes 339, Rama do të shfaqej krah kryebashkiakut, më 26 tetor 2018, në një agroturizëm në Durrës. E si të mos mjaftonte kjo, në një studio televizive kryeministri do të deklaronte se “edhe nëse shkon nesër në burg, prapë shoku im do të jetë”.
Ndërkohë, më 9 gusht 2019, Rama do të merrte pjesë personalisht në inaugurimin e agroturizmit të Lefter Kokës, ku u shpreh “ndihem i gëzuar që jam pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së agroturizmit, investim ky i mikut tim, Lefter Koka”. Rreth dy muaj më parë, deputeti Lefter Koka pranoi publikisht se në zgjedhjet e ardhshme do të votojë për PS-në, ndërsa refuzoi ta pranonte me zë të lartë se do të ishte në listën e kandidatëve për deputet të ish-partisë së tij të dikurshme.
Rama mund të ndodhet mes dy miqve të tij (që do të luftojnë për të përfshirë sa më shumë njerëz të tyre në listën për deputetë dhe në garën për kryetar bashkie) dhe përballë një PD-je të “etur” për pushtet, pasi prej 20 vitesh e ka “tokë të ndaluar” postin e kryebashkiakut të Durrësit, ndërsa në zgjedhjet e 2017-ës regjistroi rezultatin më të ulët në qark me përfaqësim deputetësh. Gjithsesi përfshirja e Ramës në listën e Durrësit mund t’i përngjajë diskutimeve të shumta në vitin 2013 për kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha për të cilin u përfol se do të kryesonte listën e kandidatëve për deputetë në qytetin bregdetar, por në fund gjithçka mbeti në kuadrin e fjalëve.
Zgjedhjet e vitit 2017 në qytetin bregdetar kanë mbi vete një sërë akuzash prej dosjes nr.339, megjithëse hetimi më i fundit i SPAK lidhur me të u mbyll me një rezultat spektakolar, pasi u tentua të çoheshin pas hekurave edhe komisionerët e vdekur 2 vite më parë. Për të hequr sadopak hijen e rëndë të akuzave për manipulim të zgjedhjeve, si dhe për të marrë meritat e operacionit të Rindërtimit që pritet të nisë në Durrës në vjeshtë, Rama mund ta mendojë kandidaturën e tij në qytetin 3000-vjeçar. E ndërsa Vlora i kujtonte lidhjen me nënën e tij, Anetën, Durrësi nga ana tjetër i sjell ndërmend lidhjen me babain, Kristaqin.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Rama i kërkoi Vangjush Dakos sigurimin e 8 mandateve, dëshirë që kryebashkiaku i Durrësit ia plotësoi shefit të tij. Me kandidimin e tij në qytetin bregdetar, Rama ndoshta do të mbyllë gojët e liga se mandatet nuk u arritën falë bashkëpunimit me Avdylajt & co, por falë vizionit të Rilindjes për Durrësin. “Veliera”, shëtitorja “Taulantia”, rrugët kryesore të Durrësit, rruga “Pavarësia”, shëtitorja bregdetare në plazh dhe Shkëmbin e Kavajës janë vetëm disa nga investimet e realizuara nga qeveria dhe bashkia vitet e fundit. Pak rëndësi ka nëse ato janë apo jo funksionale për qytetarët durrsakë. Rëndësi ka që lideri shtoi edhe më shumë tonelata betoni, në qytetin ku arkeologjia dhe historia mund të ishin bërë asetet e tij më të rëndësishme për turizmin kulturor.
Një ditë më parë, kur mediet botërore nisën të publikonin lajmin e dorëheqjes së kabinetit qeveritar në Liban dhe shfaqnin protestat masive që çuan në rrëzimin e qeverisë, mendja më shkoi tek ngjarjet e disa muajve më parë. Në kujtesë mu shfaqën rradhët e pafundme të qytetarëve që iknin nga sytë këmbët nga Durrësi, pasi lëkundjet e shumta sizmike pasonin tërmetin e 26 nëntorit.
Bejruti humbi jetë njerëzore dhe u shkatërrua nga shpërthimi i fuqishëm, por qytetarët pasi varrosën viktimat dhe mjekuan të plagosurit u derdhën në rrugë. Durrësi varrosi viktimat, mjekoi të plagosurit dhe nxitoi për të gjetur shtëpi me qira apo riparuar dëmet e banesave. E gjithë shfryrja e mllefit për jetët e humbura dhe banesat e shkatërruara u derdh në rrjete sociale, kur kurban i qytetit të goditur rëndë u bë kryebashkiakja Valbona Sako, që zgjodhi të bënte një lapsus, pikërisht në ditët kur urrejtja popullore arrinte majat. E meqë shamë virtualisht në ato momente në të gjitha format e mundshme, harruam se një mori njerëzish që kishin lidhje të drejtpërdrejtë apo tërthortë me dëmet katastrofike në qytet vazhdonin jetën të qetë mes nesh.
Protestat sporadike të këtyre muajve të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti shërbejnë në rastin më të mirë për të zgjidhur problemin personal të tyre dhe në rastin më të keq për të ngritur për herë të fundit zërin para shembjes së pallatit apo para rifutjes në ato banesa që në ditët e para të tërmetit bënin be e rrufe se nuk do të shkelnin më.
Në të njëjtën kohë, ndërsa dje PD dhe bashkia shkëmbenin sqarime mes tyre lidhur se kush kishte meritë për qytetarin nga Manza, Kadri Barruku, i cili do të bëhet me shtëpi në të ardhmen, në mendje më erdhi një imazh. Dje Barruku u takua me Bashën dhe i tregoi çadrën ku gdhin ditët dhe ngrys netët, por pas disa muajsh Kadriu mund të takohet me Ramën që do t’i tundë çelësat e shtëpisë së re. Për kë besoni se do të votojë më pas Kadriu, për liderin e opozitës që i qau hallin apo për kryeministrin që pritet t’i zgjidhë hallin?!
Përtej shqetësimit të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, që PD mundohet t’u qajë hallin me konferenca për shtyp që lënë mjaft për të dëshiruar, e djathta durrsake po bëhet gati që në shtator të njihet me emrat e kandidatëve që do t’u vijnë për t’i votuar me parimin “një anëtar, një votë”. Në këto muaj të vështirë për qytetin, në këndvështrimin tim, PD durrsake ka bërë më tepër opozitë në kafet rreth e rrotull selisë, sesa brenda në zyrat e saj. A do t’i justifikojnë emrat që do të përzgjidhen pritshmëritë e elektoratit durrsak për të ofruar një alternativë e frymë ndryshe, kjo mbetet për t’u parë!!!
Durrësi prej shumë vitesh qeveriset nga po të njëjtët njerëz. Nuk është çudi që të vazhdojë po njësoj. Prej kohësh jam e bindur se në këtë vend gjërat mund të ndryshojnë vetëm me një frymë të fortë proteste popullore. Libani e Bejruti ma përforcuan këtë ide.
Në shtator do pres të rejat nga PD-ja durrsake për të bërë lajmet e radhës. Por nuk mendoj se ca emra do të ndryshojnë status quo-në e qytetit që në të mirë e në të keq, jetojmë të gjithë së bashku.