Në dy skaje të ndryshme, po në të njëjtin aktivitet, kanë qënë së bashku kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe kreu i LSI-së në Durrës, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i njohur për qëndrimet e tij të fundit kundër kryebashkiakut durrsak.

Dy drejtuesit e fundit të bashkisë së Durrësit, të cilët jo rrallë  e jo pak kanë përplasur “brirët” me njeri- tjetrin, ku Koka sulmon e Dako hesht, tentuan të zbutin tonet, përpara banorëve të Sukthit e shtatë fshatrave përreth, të cilët u bënë me certifikata legalizimi. 

Dako tha se procesi i legalizmit, i cili në Durrës drejtohet nga Flamur Gjuzi i LSI-së, u përmbyll falë punës që i parapriu Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me bërjen e hartave në këtë zonë. Dako tha se si kryetar i bashkisë ai ka mbajtur premtimet e dhëna në investimet infrastrukturore të kësaj zone rurale të bashkisë së Durrësit.

Nga ana e tij, deputeti durrsak dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, solli në kujtesë një sërë shqetësimesh me të cilat janë përballur banorët, siç janë ato të konflikteve të pronësisë etj.

Të dy vunë në dukje punën e institucioneve të drejtuar nga përfaqësues të partive të tyre; Dako të Hipotekës dhe Koka të ALUIZNI-t duke bërë një minifushatë para elektoratit të Sukthit.

Dako e Koka konsiderohen dy strategët e fushatave elektorale të PS-së e LSI-së në Durrës dhe disa muaj më vonë do të zbresin në terren për të mobilizuar elektoratin dhe mbledhur vota për zgjedhjet e 18 qershorit.

Vangjush Dako apo Lefter Koka, kujt do t’ia besojnë votën banorët e Sukthit?

Ndjekim deklaratat e tyre:

K.H.