Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputete, Milva Ekonomi, dhe kandidatët për deputetë, Klodiana Spahiu dhe Roland Xhelilaj zhvilluan një takim me banorët e Sukthit.

“E ndjej të sigurt që do të fitojmë në Sukth. Kjo pjesëmarrje e kaq shumë grave, vajzave, e kaq shumë të rinjve, është një ogur i mirë që ne do të jemi të suksesshëm në Sukth, falë mbështetjes  tuaj”, u shpreh Dako. Kryebashkiaku kërkoi votën e banorëve të Sukthit për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për punësim dhe mirëqenie për çdo banor.

“Kërkojmë përsëri votë për Edi Ramën për të bërë më të mirën, për të vazhduar sepse kemi ende shumë për të bërë, për Durrësin që duam, për Sukthin që duam, për Shqipërinë që duam. Të jeni të sigurt, që me Edi Ramën kryeministër, Durrësi dhe gjithë Shqipëria do të jetë më e mirë, më e pastër, më e gjelbëruar, më e bukur dhe do të ketë mundësi punësimi për të gjithë dhe do të ketë mirëqenie më të mirë për të gjithë shqiptarët”, theksoi Dako.

“Energjia e parë është që ne socialistët tregojmë që kemi vendosmëri dhe unë besoj që Sukthi është i vendosur më shumë se kurrë ndonjëherë që duhet të bëjë më të mirën për të ardhmen e vet. Dhe e dyta, është që ne kemi një energji për të bërë punë. Dhe unë besoj shumë fortë që me këto dy energji të mëdha, ne do shkojmë në datën 25 Qershor për të votuar numrin 2, Partinë Socialiste”, u shpreh ministrja Ekonomi.

Ndërkohë, kandidati Xhelilaj siguroi banorët e Sukthit se “bashkë me ju, do të bëjmë më të mirën në katër vitet që vijnë, patjetër me Partinë Socialiste në pushtet, me Edi Ramën kryeministër”.