Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë Roland Xhelili dhe Ana Dhamon zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e universitetit “Aleksandër Mosiu”.

Dako e cilësoi universitetin si një nga asetet më të mëdha të qytetit të Durrësit i cili ka patur një mbështetje të madhe si nga qeveria qendrore ashtu edhe nga Bashkia. “I kemi dhënë të gjithë mbështetjen, do të vazhdojmë t’i japim mbështetje sepse ne arsimin e konsiderojmë si një gjë të të gjithëve”, u shpreh Dako.

Më tej, ai shtoi se Bashkia e Durrësit ka promovuar dhe ka bërë aktivitete të shumta me universitetin. “Ne jemi promotorë të nxitjes së studentëve me rezultate të mira, jo vetëm për nxënësit të cilët kanë nevoja por për ata studentë të cilët janë më të mirët që nesër të kenë një mundësi të punojnë dhe të investojnë në këtë vend”.

Ndërkohë, kandidati për deputet Roland Xhelilaj nënvizoi se rinia është në fokus të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama. “Është në praktikën e Partisë Socialiste dhe në kujdesin e veçantë të kryeministrit Edi Rama rinia. Të gjitha ato masa të marra për katër vjet, të gjitha ato ndryshime të mëdha tregojnë përpjekjet që Partia Socialiste po bën për ju por edhe për të gjithë brezat e tjerë për Shqipërinë e të ardhmes”, deklaroi Xhelili.

Kandidatja Ana Dhamo vlerësoi reformën e ndërmarrë nga qeveria më sistemin arsimor duke mbyllur një sërë universitetesh të cilat shpërndanin diploma pa vlerë, duke hapur kështu një kapitull të ri përsa i përket institucioneve të arsimit të lartë në vend.