19 qershor 2015 – Takimi i radhës i Vangjush Dakos ka qenë me durrsakët e vjetër, apo siç njihen në qytetin e lashtë bregdetar, banorët e lagjes “Sefer Efendiu” te kodra e qytetit.
Nga kjo lagje, kandidati i majtë për Durrësin prezantoi vizionin e tij për 4 vitet e ardhshme, të cilat, siç theksoi Dako, do të jenë vite të jetësimit të projekteve të mëdha, por edhe të ndihmës e mbështetjes së njerëzve në nevojë.
Por, Dako nënvizoi edhe faktin tjetër, se këto projekte do të realizohen vetëm nëse durrsakët do të votojnë masivisht me datën 21 qershor në drejtimin e duhur.
“Ky mandat do të jetë mandati i njerëzve në nevojë. Janë të shumtë njerëzit të cilët kanë probleme ekonomike apo pamundësi të tjera, prandaj ne do t’i mbështesim ata duke u ofruar shërbime tri herë më shumë se deri tani, dhe fondi për këto familje do të jetë tri herë më lart.
Do të vazhdojmë jo vetëm ndërtimin e dhe asfaltimin e rrugëve, jo vetëm me përmirësimin e infrastrukturës, të cilat janë punë të përditshme tonat, por do të realizojmë një zhvillim të madh për Durrësin për të hapur vende të reja pune, për të zbutur varfërinë dhe për të arritur një perspektivë për këtë qytet”, u shpreh Dako.
Kandidati socilaist kërkoi gjatë këtij takimi nga qytetarët pjesëmarrje të gjerë në votime, dhe që vota të shkojë në drejtimin e duhur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/