5 qershor 2015 – Vetëm arsimimi i duhur dhe investimi në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore janë baza për një të ardhme të sigurt dhe shoqëri të shëndetshme, është shprehur Vangjush Dako në një takim me të rinj të lagjes nr.7 të Durrësit.
Në takimin ku kanë marrë pjesë të rinj nga forumet rinore të PS-së dhe LSI-së, Dako shprehu dëshirën për studimin dhe punësimin e të rinjve, duke e zhvilluar vendin kështu me burimet tona njerëzore.
“Ne duam një brez të kualifikuar dhe të rinj që shohin drejt degëve që kanë mundësi për punësim dhe të ardhme, dhe jo të pajisen me diploma pa vlerë nga universitete piramida. Nuk vlejnë këto diploma, dhe prandaj qeveria i mbylli universitetet që shisnin vetëm diploma”, u shpreh më tej Dako.
Sipas Dakos, inovacioni është lokomotiva që do ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe papunësia, dhe për këtë inovacion, duhet të jemi të përgatitur. Ai gjithashtu shtoi se bashkia ka bërë projekte për të mbështetur nismat e të rinjve në mikrobiznese apo sipërmarrje të vogla që mund të ndërmerren edhe nga një ose dy persona.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/