Qyteti bregdetar vuan prej vitesh mungesën e pishinës, pasi ajo ekzistuese vetëm emrin ka të tillë
Qytetarëve do t'u duhet të presin edhe një vit për të parë të realizuar projektin ambicioz
Projekti për ndërtimin e pishinës së re olimpike të qytetit të Durrësit është shtyrë vitin e ardhshëm, pasi pushtetit lokal i mungojnë fondet për këtë investim. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah", kryetari i bashkisë së Durrësit ,Vangjush Dako, ka deklaruar se ligji i ri për urbanistikën ka dëmtuar rëndë financat e bashkisë së qytetit bregdetar, gjë që ka kushtëzuar shtyrjen e disa projekteve të rëndësishme, përfshi këtu dhe atë të pishinës së re olimpike të qytetit, një investim me vlerë prej rreth 3.5 milion euro. Gjithsesi Dako është shprehur optimist se në vitin 2012 mund të nisë implementimi i projektit për pishinën e re olimpike të qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku ka detajuar se kjo pishinë do të ketë një sipërfaqe prej 3.500 m2, e cila do të gërshetohet edhe me ambiente sportive që do të zënë 2.700 m², ambiente rekreative që zënë një sipërfaqe prej 1.700 m², si dhe hapësira publike në një sipërfaqe prej 2.600 m². Ai ka theksuar faktin se pishinat e hapura, një ndër të paktat asete publike të qytetit të Durresit, ndodhen shumë pranë Shëtitores ‘Taulantia’ dhe detit Adriatik. Përdorimi i tyre, sipas tij, është mjaft i limituar dhe vetëm sezonal (gjatë verës), dhe kjo jo vetëm për shkak të situatës kritike në të cilën ndodhen. “Pozicionimi i kompleksit të pishinave në afërsi të Shëtitores “Taulantia” dhe detit, vlerës më të madhe të qytetit të Durrësit, është mjaft strategjik.
Kjo përforcohet edhe me faktin se në afërsi të kompleksit të pishinave ndodhen edhe një sërë objektesh të tjera me funksion social, edukativ e shoqëror si: Muzeu Arkeologjik, kisha ortodokse, amfiteatri veror, shkolla, etj, duke formuar kështu një rrjet objektesh social-kultorore. Ideja është që pishinat të rikonstruktohen dhe të transformohen në një pavion sportesh. Përveç sportit të notit, një mori sportesh të tjerë mund të ushtrohen gjatë gjithë vitit në ambiente të mbyllura, vendosur në vertikalitet, në një strukturë programatike te shtresëzuar dhe për më tepër, duke patur nje kontakt më të drejtpërdrejtë viziv me detin në jug dhe me kodrën në veri”, ka sqaruar Dako për gazetën “Dyrrah”. Sipas tij, fillimisht kërkesa dhe detyra e projektimit ishte për të restauruar pishinat publike, kryesisht për të realizuar mbulimin e tyre me një strukturë të lehtë, rinovimi i impiantit të furnizimit me ujë dhe të tjera aspekte teknike. Këto ide, -ka vijuar Dako,- ishin vetëm një shtysë fillestare, pasi vizioni dhe ideja jonë shkoi përtej kësaj. “Duhej të propozohej një strukture multi-programatike, një kompleks sportiv, sigurisht duke pasur pishinën olimpike si asetin kryesor.
Disa prej arsyeve dhe argumentave që na bëjnë të besojmë se një projekt i tillë është më i përshtatshëm janë shfrytëzimi i territorit ekzistues të pishinave për të pasur jo vetëm një pishinë me dimensione dhe kapacitete për të qenë një pishinë olimpike, ku mund të zhvillohen aktivitete (gara noti) të nivelit ndërkombëtar, por një kompleks të mirëfilltë sportiv i pajisur me ambiente për të ushtruar edhe sporte të tjerë”,- tha Dako. Kryebashkiaku ka theksuar se një përqasje e re në këtë kontekst të formuar urban është mjaft sfiduese, pasi pishinat do të ndodhen në afërsi të Muzeut Arkeologjik, por edhe të disa objekteve mjaft të larta. Sipas tij, pozicioni i objekteve dhe banesave të larta në raport me pishinën ,bëjnë që në pjesën më të madhe të ditës ajo të ndodhet në hijen e objekteve dhe se një pishinë e mbuluar ( e mbyllur) që mund të funksionojë gjatë gjithë vitit, bashkë me programe të tjera sportive, do të ishte një ide më e mirë. “Ky kompleks sportiv që do të jetë një aset mjaft i rëndësishëm i Bashkisë mund të menaxhohet nga Bashkia ose nga ente private, por të kontrolluara nga Bashkia dhe në këtë mënyrë do të jetë edhe një burim të ardhurash”,- ka shtuar më tej kryebashkiaku. Po sipas Dakos, një kompleks me strukturë programatike me funksione të mbivendosura ishte një ndër konceptet kryesore të projektit “Pishina Olimpike & Sporte” ku krahas ofrimit të një ambienti ku mund të zhvillohen një apo më shumë aktivitete sportive, është pikërisht atmosfera që krijohet, mbi të gjitha në praninë e dritës.
Dako ka sqaruar se aktivitetit sportiv që do t’i kushtohet rëndësia më e madhe në këtë kompleks do të jetë noti. Sipas projektit që pret tashmë vetëm fondet për tu vënë në zbatim pishina olimpike do të ndërtohet mbi gjurmët e pishinës ekzistuese dhe do të ketë dimensione: gjatësi e gjerësi 50 x 22.5m, thellësi deri në 4.5m dhe kapacitet mbi 1000 vend-ulësesh për shikuesit. “Atmosfera nën rrezet e diellit që do të penetrojë përmes çarjeve në tarracë për t’u përplasur mbi ujë, si dhe dritën që do të filtrohet në të katër anët e fasadës, do të jetë mjaft e këndshme. Do të kemi fusha volejbolli e basketbolli. Në nivelin e tarracës + 9.70 m, ndodhen 2 fusha vollejbolli e basketbolli, me dimensione standarte, e lartësi 8m. Duke iu referuar klimës së ngrohtë të qytetit të Durrësit në pjesën më të madhe të vitit, atmosferës festive sidomos gjatë verës, por edhe kostos së ndërtimit, është propozuar që këto ambiente të ‘vishen” me një rrjetë metalike. Kështu atmosfera do të jetë mjaft fenomenale. Sportistët do të ndjejnë erën, zhurmën dhe aromën e detit që ndodhen fare pranë. Çka është më e rëndësishme, atmosfera që krijohet në tarracë, ku krahas “çarjeve” që lejojnë penetrimin e dritës në brendësi të objektit, do të ketë volume me të njëjtat dimensione, por të ngritur në lartësi për të krijuar një mori stolash ku njerëzit mund të zgjedhin të ulen, në dritë apo hije. Pjesa ballore e tarracës ofron një pamje panoramike drejt detit. Një bar i hapur do të përdoret jo vetëm nga personat që ushtrojnë sportet”,- ka nënvizuar Dako, duke ilustruar projektin edhe me imazhe konkrete. Sipas tij, ky vizion për Pishinën Olimpike jo vetëm është modern, plotësisht i realizueshëm por edhe shumë dinjitoz në përputhje me vizionin për një Durrës modern, ku jeta turistike harmonizohet edhe me aktivitetet sportive.