Shoqëria civile, urbanistë dhe arkitektë, kanë tentuar të “kryqëzojnë” kreun e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, në dëgjesën publike,e cila kishte qëllimin e transparencës së këtij investimi prej 6 milionë dollarësh, për të cilin janë bërë një sërë protestash. Dëgjesa publike e organizuar prej tij, për sheshin “Veliera”, aty ku prej 4 shkurtit kanë zbarkuar arkeologët për të dokumentuar zbulimet që po dalin në dritë, është shoqëruar për më shumë se dy orë me debate të ashpra nga shoqëria civile dhe arkeologë e specialistë të fushës.
Dako theksoi se investimi po kryhet në zonën arkeologjike B, në të cilën sipas rregullores së Ministrisë së Kulturës të vitit 2010, në kohën kur ministër ishte Ferdinand Xhaferri, lejohen punime e po kështu punime janë kryer edhe në zonë tjetër të pakategorizuar arkeologjike, pasi dikur kjo zonë ka qenë e mbuluar nga uji i detit. 12 mijë metra katror shesh do të kthehet në pedonale pa u ndërprerë nga makinat . Poshtë sheshit do të ndërtohet tuneli që do të shërbejë për qarkullimin e makinave . Kryebashkiaku Dako u shpreh ndër të tjera se jo vetëm që bashkia gjatë punimeve për të krijuar sheshin publik të Velës nuk ka dëmtuar asnjë centimetër trashëgimi arkeologjike, por përkundrazi do të vijojë edhe me zbulimin e themeleve të murit rrethues të qytetit që ndodhet jashtë zonës së punimeve.
Kryebashkiaku Dako ka treguar para publikut të gjithë dokumentacionin përkatës për këtë vepër publike dhe ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet lidhur me prishjen e rrënojave arkeologjike. Po kështu kryebashkiaku Dako deklaroi se gjithçka që është e lidhur me këtë projekt është bërë në zbatim të plotë me ligjin, është ruajtur trashëgimia kulturore dhe punimet e kryera jo vetëm që janë monitoruar nga arkeologët, por gjithçka është monitoruar edhe nga dy kamera të vendosura në lartësi që kanë xhiruar 24 orë që nga fillimi i punimeve e deri më tani dhe ku tregohen qartë se punimet e kryera nuk kanë dëmtuar asnjë objekt arkeologjik.
Realizimi i këtij projekti tepër të veçantë që i jep një imazh turistik e modern qytetit ka qenë një premtim i kryebashkiakut Dako gjatë fushatës së vitit 2015. Investimi për rehabilitimin e sheshit para portit dhe ndërtimin e velierës kap vlerën e rreth 450 milion lekë pa TVSH dhe është investim me fonde të qeverisë shqiptare. Referenca të zbatuara për projekte të ngjashme janë marrë në qytetet e Seviljes, Lisbonës, Marsejës, qytete port të Mesdheut ku veprat urbane moderne ndërthuren mjaft mirë me trashëgiminë historiko- arkeologjike. Në kuadër të transparencës ky projekt është diskutuar gjerësisht në dëgjesa publike dhe në ato në nivel teknik përpara se të jepej miratimi.
Dako publikoi dokumentet e dosjes së zbatimit të projektit janë: Miratim nga Fzhr me vendim nr. 10 dt 10.03.2016, vendim për VNM nr. 45 dt 08.08.2016, leje ndërtimi Vendim nr. 102 dt. 30.09.2016, vendim 128 dt 22.11.2016 të KKA (Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë) të cilët miratojnë ndërtimin e veprës dhe vendim nr.1 datë 24.01.2014 nga KKA si dhe marrëveshje 3 palëshe me Ministrinë e Kulturës dhe ASHA ku është caktuar Instituti i Arkeologjisë dhe DRKK për supervizionin e punimeve gjatë gjithë zbatimit të kontratës.
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme.
K.H.





