14 qershor 2015 – Për kandidatin e majtë të Durrësit, Vangjush Dako, lagjja 13, zona e Plazhit, do të mbetet potenciali i madh i qytetit. Ai kujtoi investimet e bëra në infrastrukturë, me dy mbikalimet e Plepave dhe Urës së Dajlanit. Sërish Dako premtoi investimin për të sjellë ujin e pijshëm në zonën e Plazhit. “Projekti më i ri për ujin e pijshëm me fonde të Bankës Botërore nis shumë shpejt, që në muajin shtator të këtij viti.
Një vit pas nisjes së këtij investimi Durrësi dhe zona e Plazhit do të kenë tre herë më shumë ujë të pijshëm dhe kjo do të thotë që jo vetëm banorët do të kenë furnizim më të mirë, por edhe lokalet dhe mjediset në shërbim të turizmit gjithashtu. Nga ana tjetër në të njëjtën periudhë nis edhe investimi për kanalizimet e ujërave të zeza”, tha Dako. Ai i justifikoi mungesën e investimeve deri tani se qeveria e shkuar i mbajti peng. Sipas tij, edhe rruga e re e Portit, për 200 metër tokë që nuk e jepte Drejtoria e Hekurudhës u mbajt peng 6 vite nga qeveria Berisha.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





