Kreu i Bashkisë paralajmëron asfiksi për biznesin e ndërtimit në Durrës
Në një intervistë të tij për gazetën “Dyrrah”, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka komentuar situatën e ndërtimeve në qytetin bregdetar, veçanërisht problematikën përsa i përket disa ndërtimeve që kanë nisur në një territor të plazhit të Durrësit ku aktualisht nuk duhet të ketë ndërtime. Kreu i Bashkisë ka paralajmëruar një asfiksi përsa i përket perspektivës së ndërtimeve në qytetin bregdetar si dhe pasoja për biznesin dhe qytetarët.
Zoti Dako, a jeni në dijeni se në një zonë ku ndalohen kategorikisht ndërtimet në plazhin e Durrësit aktualisht ka nisur një godinë disa katëshe?
Nëse e keni fjalën për objektin që kam parasysh dhe unë mund t‘ju them se është një objekt dy katësh me leje, pasi në këtë zonë duke u nisur nga distanca me bregun e detit, ndërtimet mund të jenë deri në dy kate. E ritheksoj se kemi të bëjmë me një ndërtim me leje dhe për më tepër pronari i truallit që ka rreth 800m, vetëm 200m² i ka përdorur për ndërtim. Nuk bëhet fjalë për pallat, por për një godinë dy katëshe me leje. Shtëpia është e vendosur në një brez, ku një ndërtim i tillë është normal dhe nuk e prek shëtitoren bregdetare që ka ndërtuar bashkia e Durrësit.
A nuk mendoni se kemi të bëjmë me një shkelje ligjore?
Në bazë të një studimi të miratuar dhe nga KRTRSH-ja në këtë zonë në varësi dhe nga bregdeti lejohen ndërtime 2-6-8 kate në varësi nga distanca nga bregu i detit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një ndërtim të rregullt dy katësh.
A ka dijeni bashkia për ndërtimin e pistave të çuditshme që ngrihen në bregdetin e plazhit të Durrësit?
Është vetëm një dhe ajo është pa leje. Me pozicionin që ka nuk mendoj se prish mjedisin apo funksionin turistik, përkundrazi. Unë mendoj se është thjesht një mur mbrojtës në det.
Pse nuk ndërhyn bashkia ndaj ndërtimeve pa leje në zonën e plazhit të Durrësit?
Ne nuk do të ndërhyjmë në plazhin e Durrësit përsa kohë vazhdon proçesi i legalizimit. Këto subjekte që kanë ndërtuar në këtë zonë kanë kërkuar leje për t’u legalizuar, kështu që pa përfunduar ky proçes ne nuk mund të ndërhyjmë për prishje. Ligji ndalon që të ndërhyhet në objektet që janë në proçes legalizimi.
Po për raste ndërtimesh pa leje në qytet, pse nuk ndërhyn policia bashkiake?
Kemi ndërhyrë. Ju kujtoj disa aksione për prishje të ndërtimeve të tilla, qoftë shtesa katesh apo dhe ndërtime të tjera të jashtëligjshme.
Si e vlerësoni perspektivën e ndërtimeve në Durrës?
Që nga muaji shtator KRRT-ja është e pezulluar dhe me ligjin e ri përgjegjësia mbi lejet e ndërtimit bie mbi kryetarin e Bashkisë. Natyrisht që së pari kërkohet miratimi i planit rregullues që me sa shikoj unë do të zgjasë dhe 6 muaj të tjerë. Kjo do të thotë garanci për ndërtime me plan rregullues dhe standarte nga njëra anë, por edhe asfiksi për biznesin e ndërtimit dhe qytetarët që duan të ndërtojnë. Mendoj se ligji i ri “Për planifikimin urban”është i domosdoshëm, por bllokon dhe shkakton asfiksi për biznesin e ndërtimit. Mendoj se duhet riparë dhe një herë ky ligj, pasi pasojat do të jenë të rënda për biznesin e ndërtimit nga një anë dhe zhvillimin e qytetit nga ana tjetër. Një problem tjetër që duhet parë është dhe buxheti i bashkisë që ulet ndjeshëm, pasi rreth 30% të të ardhurave i kemi pikërisht nga ky biznes. Qeveria duhet të na dëmshpërblejë për pjesën që humbasim. Në një këndvështrim parimor ligji është pozitiv, pasi bazohet në planin rregullues dhe çdo gjë do të centralizohet në bazë të këtij plani.
Ligji pra formaton normat për ndërtimet e reja në qytetin e Durrësit. Kriteret janë tepër strikte dhe tepër të ngurta, gjë që do të thotë një “ligj i mirë”, por me pasoja për biznesin e ndërtimit dhe pronarët e truallit. Unë do të isha për një zgjidhje pragmatiste që do të ishte në frymën e ligjit, por që do të toleronte kërkesat e biznesit të ndërtimit. Personalisht jam skeptik se si do të zhvillohet qyteti me këtë plan, në këndvështrimin e ligjit “Për planifikimin e territorit”. Gjithsesi jemi para faktit dhe duhet ta pranojmë atë. Zgjidhja e mundshme do të konsistonte në limitimin e kateve të banimit, por me rritjen e koefiçentit të shfrytëzimit. Me planifikimin aktual, koefiçenti i shfrytëzimit është 10% dhe lartësia pa limit, në një kohë që ky koefiçent duhet të shkojë te 40-50-ose 60% dhe lartësia mund të jetë deri në 6 kate. Më konkretisht nëse ke 5000 m² truall, nuk e shfrytëzon më shumë se 10% deri në 10 kate. Ky ligj nuk bind as ndërtuesit dhe as pronarët e trojeve. Mendoj se të paktën për 4-5 vite biznesi i ndërtimit do të bllokohet totalisht, pasi do të mungojë interesi i ndërtimit nga njëra anë dhe interesi i pronarëve të truallit nga ana tjetër.
Ju thatë që plani rregullues kërkon dhe 6 muaj të miratohet. Si e vlerësoni ju këtë plan?
Është një plan rregullues bashkëkohor, i cili është diskutuar me grupet e interesit. Plani është hartuar falë projektit të Bankës Botërore mbi “Menaxhimin dhe administrimin e tokës” me një fond prej 56 milion $ në harkun kohor të viteve 2007-2011. Ky plan ka qenë pjesë e projektit për hartimin e planeve të përgjithshme të disa qyteteve si Durrësi, Shkodra, Vlora dhe Kamza. Në fakt, plani është bërë nga studioja urbanistike “Hidea”, me qendër në Firenze të Italisë. Plani shtrihet në 15 vjet perspektivë. Durrësi ndahet në zonën industriale, zonën e portit, në qendrën e qytetit si dhe në sipërfaqet e gjelbërta. Zhvillimi i zonës industriale, e cila përfshin Porto-Romanon dhe Spitallën është përcaktuar nga qeveria. Porti gjithashtu është përcaktuar nga qeveria, por studioja ka parashikuar hapjen e tij për banorët dhe jo mbylljen e tij si një repart ushtarak. Qendra e qytetit është konceptuar si një zonë shërbimesh. Po kështu është përcaktuar edhe zhvillimi i zonës turistike, e cila do të shtrihet në pjesën ekzistuese, por edhe në veri të zonës së Currilave. Ndërkohë studioja e huaj ka parashikuar zhvillimin e objekteve në shërbim të komunitetit, sikurse janë spitalet, qendrat sociale, shkollat, qendrat sportive e të tjera që përmbledh kjo kategori. Meqenëse territoret në Durrës tashmë janë zënë, plani ka parashikuar që ato të sigurohen nga pronarët e tokës.
Së fundi ndalemi pak te festat e fundivitit. Ç'po bëhet me dekorin e qytetit dhe sa është buxheti?
Buxheti është 300 mijë lekë të reja dhe mendoj se kemi bërë një dekor normal. Një pjesë e kemi nga dekori i vitit të kaluar dhe një pjesë është dekor i ri.
A do të ketë koncert në mbrëmjen e ndërrimit të viteve?
Nuk besoj. Mos miratimi i këshillit të kulturës nga ana e këshillit bashkiak na bllokon në këtë drejtim.