3 nëntor 2015 – Në prag të nisjes së debatit për buxhetin e vitit 2016, bashkia e Durrësit ka paralajmëruar nisjen e një viti të vështirë për sa i përket investimeve për komunitetin.
“Buxheti i vitit 2016 nuk është mbyllur, është ende në diskutim e sipër, të mos shpresojmë për mrekullira, buxheti do të jetë modest”, këtë ka deklaruar kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, për investimet e 2015-s.
“Qendra e qytetit ka qenë dhe do të jetë e rëndësishme në thithjen e investimeve, më pak vëmendje kanë zonat rurale, ku gjoli dhe balta nuk mbarojnë kurrë. I japim vëmendje qendrës për të thithur turistë e sepse këtu investimi të kthehet. Buxheti është i varur nga paratë që jep qeveria dhe nga mbledhja e taksave e tarifave vendore. Këtë vit biznesi është në vështirësi, por njëkohësisht ulja e taksës së pasurisë me 30% pritet të këtë ndikim në të ardhurat e bashkisë së Durrësit”, nënvizoi Dako.
Me grante të qeverisë për vitin 2015, bashkia e Durrësit e dalë pas reformës territoriale ka përfituar zbatimin e tri projekteve, dy prej të cilave i përkasin zonës rurale. Brenda në qytet bashkia vijon me “makijazhin” e fasadave, ndërsa në periferitë e ish-komunave të largëta, dy investime në infrastrukturë.
“Në fillim të dhjetorit presim të nisë puna në tri projekte investimesh.
1. Rikualifikimi i fasadave në rrugën paralele me portin, e cila është edhe imazhi i qytetit për mijëra turistë që mbërrijnë nëpërmjet portit të Durrësit.
2. Ndërtimi i rrugës ShënVlash – Sektor Rinia, 6 km.
3. Investimi në segmentin Perlat – Hamallaj, një rrugë turistike që lidh autostradën me plazhin dhe i shërben komunitetit për prodhimet bujqësore”, tha Dako.
1.7 miliardë lekë u parashikua buxheti i bashkisë së Durrësit për vitin 2015, 700 milionë lekë prej të cilave u planifikuan investimet në infrastrukturë, arsim, sport, kulturë, rikonstruksione, etj. Por nuk dihet sa janë realizuar të ardhurat, investimet etj, pasi realizimi i tij nuk është diskutuar ende në Këshillin Bashkiak.
/K.H. portali DurresLajm/