6 maj 2015 – Kandidati socialist, Vangjush Dako akuzon Agron Dukën për spostimet e banorëve nga një qytet në tjetrin. Për herë të parë ai ka folur për akuzat e PD-së se ka bërë “pasaportizimin” në Durrës për qindra banorë të zonave të tjera, për të marrë vota më 21 qershor.

“E vërteta është se kam dëgjuar edhe une raste të spostimeve të tilla, të cilat përkonin me harkun kohor kur kandidati i vetshpallur i Partisë Repubikane filloi fushatën e lënë përgjysëm për të garuar kundër meje, duke përdorur punonjesit e Federatës së Futbollit, të cilët kanë zgjedhur të shpërngulen duke u regjistruar si banorë të Shijakut, Rrashbullit, Sukthit dhe Durrësit. Por, duke qenë i qetë në ndërgjegjen time të pastër dhe i bindur në fitoren tonë të thellë, nuk jam prirur t’i besoj thashethemeve të zakonshme në prag të çdo fushate zgjedhore”, tha Dako. Ai shton më tej, duke thënë se një ndër të lëvizurit nga Tirana drejt Durrësit është vetë kandidatja e PD-së.

Reagon PD

Pas fjalës së Vangjush Dakos reagoi dhe shtabi elektoral i PD-së në Durrës. “Se çfarë masakre ka bërë Dako në Durrës, nuk fshihet dot as me fjalët dhe as me teknikat regjisoriale të Ramës. Durrësi është në një lëngatë shumëvjeçare dhe do të vijë në modelin e punës dhe shpresës kur të çlirohet nga ai që e ka marrë peng me betonieret e tij”, deklaruan ata.

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”