Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 1 gusht 2014– Tashmë që Qeveria Rama e kaloi në parlament me sukses ligjin e ndarjes së re territoriale mund të fillohet të bëhen parashikime se cilët do të jenë fitimtarët e superbashkive, që krijon kjo ndarje. Në qarkun e Durrësit kemi tre bashki Durrësin, Shijakun dhe Krujën. Bashkia e Durrësit realisht kthehet në një superbashki, ku porti i kombinuar me monopolin mbi vijën bregdetare të të gjithë qarkut me afërsinë me kryeqytetin, me aeroportin e vetëm civil të vendit dhe me lidhjen me autostradën dhe hekurudhën ofron një potencial të jashtëzakonshëm. Kryebashkiaku i ardhshëm automatikisht shndërrohet në një nga “peshat e rënda” të politikës shqiptare, shumë më i fuqishëm se një deputet i zakonshëm madje, madje edhe sesa një ministër i dorës së dytë si ai pa portofol, apo i Kulturës, Integrimit etj.
Me ndarjen e re superbashkia Durrës do të përfshijë Bashkinë aktuale Durrës, së cilës do t’i bashkëngjitet Bashkia Manzë, Bashkia Sukth, Komuna Ishëm, Komuna Katund i Ri dhe Komuna Rrashbull. Normalisht për një çmim të tillë kaq të çmuar ia vlen një “betejë” elektorale shëmbullore, ia vlen të jetë ambicia e jetës së një politikani shqiptar.
Meqenëse kampi i djathtë, PD-ja është në nivelin bir Selman i nënës kë të qaj më parë, është vështirë që kaq herët të piketosh një emër për superkryebashkiak. Është realisht vështirë të parashikosh se si do të luajë në fushën politike z. Osman Stafa kreu i ri i PD-së Durrës.
Është akoma edhe më e vështirë të supozosh për emra të djathtësh si kandidatë potencialë. E majta normalisht ka për kandidaturë “Napoleonin e vogël” të PS-së, aktualisht kryebashkiakun e Durrësit ,Vangjush Dakon. Kjo kandidaturë nuk është e tillë me patjetër, sepse gjithsesi ekziston edhe “Sfinksi” Ilir Meta. Me të dy kryeministrat Berisha dhe Rama, kryetari i LSI-së është sjellë sipas proverbit: Meta ga dhe Berisha – Rama na.
Në këtë kontekst një këmbëngulje e Metës për të pasur Durrësin domen të LSI-së automatikisht do të sillte një zbythje të Ramës, me qëllim që t’i lërë dorë të lirë LSI-së në Durrës. Në këtë rast në Durrës e majta do të kandidonte me një përfaqësues të LSI-së dhe arsyetimi, që do bëjmë më poshtë nuk do kishte vend. Një kandidaturë e LSI-së thjesht do të shtonte shanset e PD-së, që ndonëse politikisht e drobitur, të fitonte superçmimin e superbashkisë Durrës.
Le të imagjinojmë një duel të tillë: Dako majtas dhe një kandidat ende pa emër djathtas. Sa janë shanset e njerit apo tjetrit për të fituar çmimin e madh me emrin Durrës? Për të përfytyruar këtë duel ne do të mbështetemi në shifrat e zgjedhjeve të mëparshme lokale në secilën komunë e bashki, që përbëjnë superbashkinë Durrës, ku do zhvillohet beteja e ardhshme elektorale. Më poshtë po rendisim shifrat e vitit 2011, të zgjedhjeve lokale për njësitë vendore që tashmë do të përfshihen në bashkinë Durrës duke shpresuar që lexuesi nuk do të lodhet, duke i lexuar ato.
Në Bashkinë Durrës
Dako, i majtë mori 33 368 vota dhe Xhaferraj, i djathtë mori 29 785 vota.
Në Bashkinë Manëz
Sokol Sula, i majtë mori 1 723 vota dhe Bujar Huqi, i djathtë mori 2 184 vota.
Në Bashkinë Sukth
Selami Xhelili, i majtë mori 2 160 vota, ndërsa Sherif Fortuzi, i djathtë mori 3 789 vota. Në këtë bashki kemi dhe kandidatin e pavarur Hysen lllaca me 1 068 vota.
Në Komunën Ishëm
Sulejman Ibrahimi, i majtë mori 1 969 vota dhe i djathti, Gëzim Ylli mori 1 339 vota
Në Komunën Katund i Ri
Servet Balla, i majtë mori 1 406 vota, ndërsa Hil Priska, i djathtë mori 3 308 vota
Në Komunën Rrashbull
Shkëlqim Troplini, i majtë mori 3859 vota, kurse Hysen Gashi, i djathtë mori 4817 vota
Nga një mbledhje mekanike e votave del që e majta ka 44 485 vota dhe e djathta ka 45 222 vota. E djathta ka nje diference te vogel me te majten me vetem 737 vota më shumë në territorin e superbashkisë së ardhshme të Durrësit. Një diferencë e tillë, i le hapur te dyja mundesite, per fitoren e seciles pale. Më poshtë do të shqyrtojmë hollësisht faktorët, figurat apo edhe taktikat, që mund të ndikojnë votën në çdo ish bashki e ish komunë duke ndikuar kështu në rezultatin përfundimtar në rang superbashkie.
Ish Bashkia Durrës
Në zgjedhjet e kaluara vendore Dako si kandidat mori më shumë se PS-ja si forcë politike duke dalë 3583 vota më shumë se rivali Xhaferraj. Në zgjedhjet e ardhshme një rezultat i tillë nuk mund të merret si i garantuar, sepse nuk ka siguri që rivali i ri i Dakos të jetë potencialisht i dobët si Xhaferraj, apo që segmente me peshë në PD-në durrsake ta braktisin apo dhe ta shesin atë, siç ngjau me Xhaferrajn, në vitin 2011.
Vetë Dako, krahas konsumit normal nga pushteti, si edhe pakënaqësive nga ndarja e tortës së fitores së vitit 2013, po përpiqet fuqishëm për të ruajtur diferencën e votave në zgjedhjet e ardhshme. Në zona problematike të Durrësit, si Fidanishtja dhe lagja nr. 17 etj. janë kryer investime, që realisht përmirësojnë dukshëm jetën e përditshme të banorëve. Të tilla investime thithin vota të elektoratit gri, por edhe vota të demokratëve, që duan më shumë fëmijët e vet të mos shkelin në baltë sesa Berishën apo Lulzim Bashën.
Projekte madhore si rruga e Portit paralel me rrugën “Egnatia”, rruga e Vilës së Zogut, rruga për në Currila, apo edhe ndonjë projekt i fuqishëm por surprizë, që Vangjushi e mban nën mëngë si asin e fundit për të bërë “Imperial Flush” në poker, mund të shtojnë vota të tjera në shportën e Dakos, apo mund t’i çimentojnë votat ekzistuese.
Enigmatike mbetet sa do jetë erozioni i militantëve rozë-mavi, që pas fitores kanë ngelur me gisht në …. gojë duke u shpërblyer me asgjë për kontributin e dhënë. Enigmatik do jetë edhe qëndrimi i LSI-së në Durrës d.m.th. sa do angazhohet kjo forcë politike, që votat e saj kryesisht pragmatiste, të shkojnë pa firo në favor të z. Dako. Me aftësi menaxheriale dhe me potencialin ekonomik, që e karakterizon, Dako ka arritur të “peshkojë” me sukses votën e lëkundur të durrsakëve (të rinj e të vjetër), por edhe votat e të të pakënaqurve të PD-së.
Duhet parë sa do të ketë fuqi e zgjuarsi z. Stafa, kryetari i ri i PD-së për ta tërhequr këtë elektorat realisht të PD-së, por që aktualisht është qefmbetur me selinë blu apo të cilit i kanë kallur krupën ish drejtorët dhe ish funksionarët e lartë shtetërorë, hajdutë, të degjeneruar e përgjithësisht budallenj të PD-së.
Një lojë me mjeshtëri e me dinamizëm e Stafës dhe stafit të ri drejtues të PD-së në drejtim të kësaj fashe të elektoratit do t’i hiqte vota Dakos dhe do t’i shtonte vota PD-së. Një politikë gjithpërfshirëse në PD automatikisht i heq qindra vota Dakos dhe ja shton rivalit të tij.
Ato komunitete, të cilave u blihet lehtësisht vota si psh. romët deri diku jevgjit (egjiptianët) dhe familjet patriarkale, ku ende votohet si të bëjë ymër i pari i fisit, do të jenë një tjetër target-objektiv, që do të synohet. Në vartësi të forcës ekonomike të kandidatit të PD-së dhe xhymertllëkut (dëshirës për të harxhuar para) të tij do të varet nëse z. Dako do t’i ketë përsëri në xhepin e vet këto vota apo jo.
Kandidati i ardhshëm i PD-së mund të qëllojë më me këmbë në tokë se z. Xhaferraj dhe në vend që t’i harxhojë paratë për të shtruar me çakull e zhavorr rrugicat e ish kënetës, mund t’i hedhë ato në xhepat e njerëzve, që pilotojnë votën e këtyre komuniteteve. Në këtë drejtim asgjë nuk mund të jetë e sigurtë.
Për më tepër, që vartës të Kryebashkiakut Dako apo njerëz të tij të zgjedhur lokalë në disa raste kanë përbuzur dhe keqtrajtuar individë me prejardhje nga këto komunitete. Mbetet për të parë nëse ata do harrojnë përbuzjen, ofendimin e në të paktën një rast dajakun në këmbim të shishes së rakisë, kartonit me ushqime, thesit të miellit në prag të ditës së zgjedhjeve lokale.
Në këtë konteks duhet të kujtojmë që PD-ja në pushtet në vitin 2011 u soll si debile me mediat, ndërsa Vangjushi, urtë e butë e plot tigani, ose i bëri për vete mediat ose të paktën ua uli egërsinë anti-Dako në maksimum. Nga ana mediatike fushata elektorale e Vangjush Dakos në vitin 2011 ishte thjesht për t’u pasur zili.
Nuk kemi siguri që z. Dako do ketë përsëri fat për të pasur edhe në vitin 2015 një PD sa apatike aq mendjemadhe e madje armiqësore me mediat. Nuk duhet të harrojmë që zoti Stafa është njeri praktik dhe të qenit në opozitë i heq iluzionin për tu sjellur me arrogancë pushtetari.
Dy herët e para z. Dako realisht qe me fat, sepse përballë kishte kandidatura të dobëta, tangërllikse e pabythse si ajo e Telitit e parashutuar nga intrigantët, gjobaxhinjtë e skilet e PD-së së Tiranës apo si kandidatura e z. Xhaferraj, të cilin fatkeqësisht e kishte lënë koha mbrapa dhe ishte tradhëtuar nga vetë PD-ja Durrës.
Me një kandidaturë ndryshe nga Teliti apo Xhaferraj dueli i Dakos do të bëhej jashtëzakonisht më sfidues. Në përfundim mund të themi, që në ish Bashkinë Durrës Dako luan për minimumi ruajtje të avantazhit të votave të vitit 2011, ndërsa PD-ja, nëse do të fitojë superbashkinë Durrës, duhet me patjetër si minimum të ngushtojë këtë avantazh dërmues të Vangjush Dakos.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





