Mos funksionimi i KRRT-së dhe mos dhënia e lejeve të ndërtimit do të shoqërohet sipas kreut të bashkisë me mos realizim të ardhurash
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i është përgjigjur në mënyrë sintetike pyetjeve të bëra nga këshilltarët e djathtë në lidhje me problematika të caktuara të planit të realizimit të të ardhurave të vitit 2011 si dhe draft-buxhetit të vitit 2012, por edhe përsa i përket çështjeve dhe problematikave të ndryshme që kanë të bëjnë me investimet. Duke ju referuar vonesave të paraqitjes së buxhetit kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar se: “Kanë qenë arsyet teknike që kanë kushtëzuar mos prezantimin e draft buxhetit në muajin prill, si miratimi me vonesë i paketës fiskale dhe udhëzimi i fundit i qeverisë në muajin shkurt për transfertën e pakushtëzuar”.
Duke ju referuar problemit të mos realizimit të të ardhurave Dako ka theksuar se: ”Një nga shkaqet kryesore ka qenë mos funksionimi i KRRT-së, pasi të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë kanë zënë pjesën e luanit në buxhetin e bashkisë së Durrësit. E përsëris që dhe skenari i mos miratimit të tarifave fiskale do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në buxhetin e bashkisë. Tarifat e ulta të miratuara në paketën fiskale dhe mungesa e të ardhurave për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit prej të cilave bashkia merrte 3%, ka limituar maksimalisht fondet për këtë instutucion. Nëse të gjithë qytetarët durrsakë do të paguanin 14 mijë lekët e vjetra të taksave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin e qytetit, me tarifat aktuale do të mbuloheshin vetëm një përqindje e vogël e shpenzimeve që duhen për të garantuar këtë proçes. Më konkretisht për ndriçimin e qytetit kërkohen 510 milion lekë në vit, në një kohë që nëse do të paguanin të gjithë qytetarët me taksat aktuale do të arkëtoheshin rreth 70 milionë lekë (de facto aktualisht arkëtohen 25 milionë lekë)”.
Duke ju përgjigjur njërës prej pyetjeve që kishte të bënte me rrugën e dytë hyrëse të qytetit të Durrësit (pranë portit detar), Dako ka deklaruar se: “Ndonëse është përzgjedhur firma fituese për ndërtimin e kësaj rruge Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit ndërhyri duke bllokuar punimet pas pretendimit të Drejtorisë së përgjithshme të Hekurudhave, se kjo tokë është në inventarin e Ministrisë së Ekonomisë“. Pas kësaj deklarate të Dakos ka ndërhyrë Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, Zamir Ramadani, sipas të cilit,- “në momentin kur kjo tokë do të hiqet nga inventari i Ministrisë së Ekonomisë dhe unë si institucion nuk do ta menaxhoj, atëhere do të jap ok-in për vazhdimin e punimeve“. Po kështu Dako është ndalur në çështje që kanë të bëjnë me investimet duke deklaruar se me fondet ekzistuese do të realizohen investime me shtrirje në qytet, në një kohë që ka deklaruar se do të vazhdojë zgjatimi i shëtitores bregdetare deri në zonën e Brrylit.
Duke ju përgjigjur pyetjeve për kanalizimet Dako ka deklaruar se,- “nuk janë përgjegjësi dhe kompetencë e bashkisë së Durrësit, por e Bordit të Kullimit, pavarësisht se ka pasur raste kur dhe bashkia ka kontribuar në këtë drejtim”. Duke ju referuar investimeve në zonën e Plazhit dhe Shkozetit, Dako ka deklaruar se,- “janë dy zona me shtrirje të madhe ku bashkia ka ndërhyrë fuqimisht, por me fondet e këtij buxheti do të bëhet aq sa është e mundur”. Një temë më vete ka qenë dhe çështja e parkimeve në Durrës, që sipas kryetarit të Bashkisë nuk është aq problematike sa Tirana. Sipas Dakos: ”Mungojnë hapësirat për parkime, në një kohë që në zona si Sheshi “Liria” ka hapësira për parkime nëntokësore, por nuk jepen leje, pasi është zonë arkeologjike“. Në fund të fjalës së tij Dako ka pranuar se gjatë këtij viti nuk mund të ketë realizime si vitet e tjera pasi nëse nuk funksionon KRRT-ja dhe nuk jepen leje ndërtimi edhe plani aktual nuk është i arritshëm.