*Mbyllim ciklin e ujërave të zeza dhe erës së rëndë te shëtitorja “Taulantia”!

“Rrugët e Durrësit janë hapur sërish, por qytetarët të bëjnë durim, sepse po zbatohet një investim 5 milonë euro. Nga ky investim merr fund problemi i derdhjes së ujërave të zeza në lagjen numër 1 të Durrësit”.

Kështu ka deklaruar kreu i bashkisë Vangjush Dako, i pyetur nga “DurrësLajm”, pas shqetësimit të ngritur nga shumë qytetarë.

Rruga kryesore nga Torra Veneciane në drejtim të Brrylit, e cila u sistemua në fillim të sezonit të shkuar turistik, është hapur sërish dhe është duke u punuar.

“Ky investim i cili kap vlerën e 5 milionë eurove financohet nga Banka Botërore dhe ujërat e zeza që deri tani derdhen në shëtitore duke përhapur erën e rëndë në të gjithë zonën do të përfundojnë në impiantin e përpunimt të tyre në ish-Kënetë. Më pas do të filtrohen e do të derdhen si ujëra të pastra në det”, deklaroi Dako.

Dako tha se pas 6 muajsh ky investim përfundon duke bërë të mundur mbylljen e një problemi që ka pasur zona që prej krijimit të saj.

INVESTIMI

Ky investim pritet të shmangë përfundimisht ndotjen e bregdetit përgjatë shëtitores “Taulantia” si dhe përmbytjet që ndodhin në stacionin e trenit dhe te hyrja nr. 2 e portit. Projekti ka vlerën e 4.2 milionë euro pa Tvsh, që jepen në formën e kredisë nga Banka Botërore.

Burime nga UKD-ja bëjnë të ditur se duke qenë se në zonën në fjalë kemi një rrjet kanalizimesh miks, pasi ujërat e zeza dhe të shiut janë në një kanalizim të vetëm, projekti i ri do të mundësojë ndarjen e tyre dhe shmangien e përmbytjeve dhe mbledhjen e ujërave të zeza nga “Aragosta” dhe që do përfundojnë në impiantin e Shënavlashit. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një kolektori kryesor me gjatësi 4.2 km si dhe rikonstruksionin e stacioneve të pompimit nr. 7 dhe 8.

Investimi në fjalë pritet të përmirësojë ndjeshëm situatën e përmbytjeve në raste reshjesh, pasi janë vendosur dy pompa që të largojnë ujërat e shirave, njëra te stacioni i trenit dhe te projekti i “Velierës” që këto ujëra të derdhen në det. Investimi në fjalë është investimi i dytë më i rëndësishëm që kryen ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Durrës pas atij që po përfundon në zonën e plazhit, nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait.

K.H.