11 mars 2015 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ka pritur në një takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Florian Rauning. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i ka bërë një ekspoze të shkurtër resurseve ekonomike dhe turistike të qytetit të Durrësit, duke u shprehur se me reformën territoriale, Durrësi do ta zgjerojë sipërfaqen e tij dhe do të ketë shumë më tepër potencial zhvillimi në të gjitha fushat e sidomos në sektorin turistik për shkak të zhvillimit në drejtim të turizmit që do të marrë vija bregdetare.
Po kështu, kryebashkiaku Dako deklaroi se me projektet e mëdha urbane dhe infrastrukturore të financuara nga qeveria, po kryhen nga Bashkia e Durrësit investime shumë të rëndësishme që po përmirësojnë imazhin e Durrësit, por edhe të gjithë vendit pasi pikërisht Durrësi është porta kryesore e hyrjes në vendin tonë ku turistët e huaj do të përballen me një imazh të bukur turistik e po kështu edhe qytetarët e Durrësit tashmë do të kenë një qytet me një tjetër faqe.
Nga ana e tij kryetari i prezencës së OSBE-së, Rauning, i ka shprehur fillimisht urimet e tij kryebashkiakut Dako për investimet e mëdha që po kryhen në qytet dhe që sipas tij ja kanë ndryshuar faqen Durrësit.
Më tej, ai u shpreh se qyteti i Durrësit është një pikë kyçe në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe ka potenciale të mjaftueshme për të qenë një urë lidhëse mes Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore. Po kështu sipas Rauning-ut, Durrësi ka potencial të madh turistik dhe është një nga qytetet më të rëndësishme turistikë të vendit. Sa i përket zgjedhjeve vendore Rauning deklaroi se administrata shqiptare është teknikisht mjaft e përgatitur për të zhvilluar zgjedhje sa më të mira, korrekte dhe të ndershme.
Në këtë takim të zhvilluar në një atmosferë shumë miqësore kryebashkiaku Dako dhe kreu i OSBE-së Rauning kanë biseduar edhe për shumë çështje të tjera të fushave të ndryshme, por edhe përsa i përket zgjedhjeve vendore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





