9 qershor 2015 – Universiteti i Durrësit është një aset shumë i rëndësishëm për bashkinë e Durrësit. Kjo ka qenë deklarata e Kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vangjush Dako, në një takim me studentët e këtij universiteti.
Pas ndërtimit të mjediseve të reja të universitetit në zonën e Spitallës, Dako deklaroi para studentëve se bashkia ka tashmë gati projektin për ndërtimin e terreneve sportive në zonën universitare, duke i’u dhënë një mundësi reale studentëve që jo vetëm për të studiuar në kushte të përshtatshme, por edhe për ofrimin e mjediseve ku ata mund të argëtohen gjatë kohës së lirë.
Më tej, Dako shpalosi dhe një pjesë të programit të tij elektoral, duke e mbështetur atë në tre shtylla kryesore: toka bujqësore, toka industriale dhe deti. Këto komponentë, sipas Dakos janë një trinom ideal për rritjen ekonomike dhe punësimin e të rinjve.
“E kemi përqëndruar punën tonë dhe jua bëjmë me dije edhe juve programin e zhvillimit të rajonit tonë .Tashmë Bashkia e Durrësit nuk është më ajo që ka qenë dikur, pasi ajo është një bashki me një territor 10 herë më të madh dhe ka ardhur momenti që të hedhim themelet e zhvillimit ekonomik të Durrësit, duke u mbështetur në tre shtyllat kryesore. Ne kemi tokë bujqësore, tokë industriale dhe det. Këto janë tre burimet nga të cilat ne mund të rrisim ekonominë e bashkisë sonë”, u shpreh kandidati i majtë për Durrësin.
Sipas kryebashkiakut Dako, me qëllim që rritja ekonomike dhe zhvillimi i qytetit të ecë me ritme të shpejta, kërkohet një brez i përgatitur duke u mbështetur te zhvillimi tekonologjik i avancuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/