Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në një deklaratë për shtyp ka mbështetur amendimin e grupit parlamentar të PS për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese që vazhdon të penalizojë vendin. Kryebashkiaku Dako dhe të gjithë të zgjedhurit vendorë, përfaqësues të PS-së, i kanë kërkuar deputetëve të shfuqizojnë këtë moratorium. Dako ka deklaruar se,- “me përgjegjësi maksimale për të përfaqësuar denjësisht ata që na kanë votuar për t’u mbrojtur e avancuar interesat e aspiratat, ne, të zgjedhurit vendorë përfaqësues të PS Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnjë, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh e Ksamil mbështesim amendimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona”. Po sipas Dakos,- “lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3 e popullsisë, pa llogaritur bashkëkombësit kosovarë që përgjatë këtyre viteve janë orientuar drejt njësive tona.

Kjo lëvizje është orientuar drejt nesh për shkak të mundësive që ofron deti dhe është absurde që ne të vazhdojmë t’ua mbajmë atë të bllokuar”. Duke ju referuar pasojave ekonomike Dako ka deklaruar se,- “shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre. Mohimi i shfrytëzimit të lirë të deteve tona jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cënuar edhe krenarinë e banorëve tanë, të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë”. Të zgjedhurit lokalë të PS-së i kanë përsëritur edhe njëherë qeverisë dhe parlamentit apelin e tyre për të votuar shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese.