Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete, Klodjana Spahiu, zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 9 dhe 10.

Në fjalën e mbajtur para banorëve, Dako theksoi se mbështetja që qeveria Rama i ka dhënë Bashkisë së Durrësit në këto katër vite ka qenë e madhe pasi kanë qenë të shumta projektet të cilat kanë prekur të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, teksa u shpreh i bindur se kjo mbështetje do të vijojë edhe në mandatin e dytë.

“Me qeverisjen e Edi Ramës, Bashkia e Durrësit, dhe gjithë Bashkitë e tjera, kanë gjetur një mbështetje të madhe dhe gjithë kjo mbështetje është transferuar te qytetarët ku kanë marrë shërbime më të mira, kanë marrë infrastrukturë më të mirë, kanë marrë projekte më të mira, për Durrësin, për Ishmin, Manzën, Rrashbullin, Sukthin, Katundin e Ri, zonën e Spitallës, Porto Romanos, Ish-Këneta, gjithë zonën e Durrësit e cila është transformuar totalisht falë punës tonë dhe mbështetjes së madhe të kësaj qeverie”, u shpreh Dako.

Dako kërkoi votëbesimin e qytetarëve për një mandat të dytë qeverisës të kryeministri Rama për të vijuar rrugën e nisur duke theksuar se të votosh për Edi Ramën do të thotë të votosh për gjeneratën e re.

“Por katër vjet nuk mjaftojnë. Kemi bërë shumë punë por ne kërkojmë të bëjmë akoma më tepër. Prandaj kërkojmë një mandat të dytë për Edi Ramën për të vazhduar rrugën e nisur, për të bërë më shumë punë për Durrësin që duam. Është një qeveri reformatore, janë të shumta reformat. Të votosh për Edi Ramën do të thotë të votosh për gjeneratën e re, do të thotë të votosh për brezin e ardhshëm”, deklaroi Dako.

Nga ana e saj, kandidatja Spahiu u shpreh se vota për Partinë Socialiste më 25 qershor është domosdoshmëri për të ardhmen e vendit tonë. “Ne do të jemi qarku fitues me numrin më të madh të mandateve për Partinë Socialiste. Ndaj do t’ju ftoja të gjithë, të rinj, të reja, votuesit për herë të parë, që është shumë e rëndësishme që ne këtë herë të bëhemi bashkë. Vota për Partinë Socialiste më datë 25 qershor, për numrin 2 është domosdoshmëri për të ardhmen e vendit tonë”, theksoi Spahiu.