Analizat toksikologjike kanë rezultuar negative në lidhje me dyshimin për helmim ushqimi të dasmorëve të shtruar pak ditë më parë në spitalin e Durrësit. Kryeinspektoria e Inspektoratit shëndetësor, Zhaneta Saliu, deklaroi se shëndeti i dasmorëve nuk ka të bëjë me helmim të ushqimit. Sipas saj, Inspektorati Shëndetësor dhe AKU-ja kanë kryer analizat toksikologjike dhe ka rezultuar që ato të dalin negative. Në këto kushte, pas bllokimit disaditor, pritet që restoranti të rifillojë aktivitetin e tij.
Pas daljes së analizave toksikologjike ka ardhur edhe reagimi i pronarit të lokalit në të cilin u zhvillua ceremonia martesore. Dhurim Kapo deklaron se ka mbetur i tronditur nga fakti që dasmorët mund të kishin pësuar helmim ushqimi. Me garancinë e rezultateve të analizave toksikologjike, Kapo mendon se shkak për përkeqësimin e shëndetit të dasmorëve mund të jetë bërë kondicioneri, i cili ishte graduar disa gradë nën normalen.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë. Pas dasme, rreth 13 dasmorë u shtruan në Spitalin e Durrësit me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.





