Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave Durrës ka pezulluar nga detyra dhe iu ka ndaluar daljen jashtë vendit 7 efektivëve për disa akuza, mes të cilave favorizim të kultivimit të kanabisit, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve etj. Në kuadër të operacionit të koduar “Abuzuesit e detyrës 2” janë pezulluar për shpërdorim detyre;
– Xhevair Babasi punonjës i Patrullës së Përgjithshme;
– Sabri Danaj ndihmës/specialist për Rendin;
– Muharrem Celami, ndihmës/specialist për Rendin;
– Nuri Sefa ndihmës/specialist për Rendin;
– Kadri Daci ndihmës/specialist për Rendin;
– Dervish Sana ndihmës/specialist për Rendin;
– Fatmir Beqaj punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
SHÇBA-ja njofton se ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Punonjësit e Policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës. Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallëzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.





