Një organizatë ndërkombëtare e trafikimit të drogës u shkatërrua sot gjatë një aksioni të policisë italiane, ku u arrestuan 61 anëtarë të bandës mes të cilëve 37 shqiptarë, si dhe u sekuestruan 1 ton kanabis.
Mediat lokale në Raguza, ku u zhvillua dhe aksioni, kanë publikuar emrat e disa prej shqiptarëve, që konsiderohen si kokat e linjës së trafikut të drogës.
Ata janë Fation Hoxhaj 40 vjeç, Erson Zhuka 33 vjeç, Roland Kalemaj 41 vjeç dhe Mandit Hoxha i njohur edhe me emrin Gentian Hoxhaj.
Në nëntor 2012 në Dubrovnik u kap një sasi kanabisi dhe u arrestua Sherif Duraj. Në mars 2013 u sekuestrua një sasi e madhe kokaine dhe u arrestua Hysni Hoxha. Në të njëjtin vit u zhvilluan të tjera sekuestrime dhe arrestime si: Michele Guglielmo Magro, Gazmend Bregaj, Edmond Hysenaj.
Hetimet e operacionit “Ballkan” kanë nisur që në vitin 2012, duke goditur disa raste të trafikut të drogës. Një pjesë e anëtarëve të bandës janë në burg, kurse të tjerë janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.
Hetuesit italianë thonë se disa prej të kërkuarve ndodhen në Shqipëri. Linja e trafikut funksiononte prej disa vitesh dhe rolin kryesor e kishin shqiptarët duke furnizuar me kanabis pjesën tjetër të bandës përtej Adriatikut.





