Kanë dalë emrat e disa prej personazheve të njohur të botës së krimit, për të cilët SPAK ka lëshuar urdhërarreste.

Mësohet se SPAK ka kërkuar arrestimin e Suel Çelës, Ervis Martinajt, Fatos Gosës (banda e Peqinit) dhe Sokol Sanxhaktarit (i arrestuar tashmë për një vepër tjetër penale, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini). Po ashtu SPAK ka urdhëruar arrestimin e shtetasit Kamer Merja në Elbasan, një personazh i njohur i botës së krimit, në qytetin ku ndërveprojnë grupet kriminale.

Hetimet për aksionin e sotëm udhëhiqen nga 3 prokurorë, Doloreza Musabelli, Behar Dibra dhe Altin Dumani, ndërkohë që janë 3 grupe kriminale të goditura.

Ajo që vlen për tu theksuar deri tani, është se asnjë prej bosëve të krimit nuk është gjetur nga policia, ndërkohë që mbetet në kërkim edhe Talo Çela.

Ky i fundit është klasifikuar si një prej 5 njerëzve më të kërkuar të policisë shqiptare, dalë në skenë pas një prej grabitjeve të Rinasit, dhe më pas në disa vrasje të ndodhura në trekëndëshin mes Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit.