Greqi, 11 prill 2014 – Mediat greke kanë publikuar fakte të reja në lidhje me vdekjen e Ilia Karelit. E përditshmja “Iefimerida” ka publikuar analizat e autopsisë të kryera në laboratorin e Athinës, ku tregojnë shkaqet e vërteta të Karelit. Shkaku kryesor që solli fundin fatal për të dënuarin shqiptar në burgjet e Greqisë, kanë qenë goditjet e forta që ka marrë në kraharor, për shkak se ai vuante nga një dëmtim në zemrës, që prej kohësh. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore greke, vdekja e Ilia Karelit është shkaktuar nga një sëmundje e mëparshme kardiake që vuante shqiptari, e shkaktuar edhe nga thyerja e kraharorit.
Gjithashtu, mjekoligjorët grekë përjashtojnë faktin se mbi Ilia Karelin është përdorur metoda e elektroshokut, duke theksuar se vdekja i ka ardhur nga goditjet në kraharor, kjo dhe për faktin se vuante nga një sëmundje në zemër. Gjithashtu, të nxirat në pëllëmbën e dorës së djathtë shpjegohen për faktin se kishte një plagë të vjetër.
Sot është publikuar edhe mesazhi që Ilia Kareli i dërgoi në telefonin celular kushëririt të tij, ditën që vrau gardianin grek, Jorgos Cironis, në burgun e Malandrinos.
“Gozhda ime u këput. Gardianin që i kisha dhënë 60 mijë euro që të më rregullonte tri ditë leje e vrava aksidentalisht. Kisha një lugë që e kisha bërë si thikë. Unë e qëllova për ta trembur, për ta çarë, por goditja e mori keq dhe ai vdiq. Mua tashmë do të më vrasin, s’më lënë të gjallë”.
Teksa vuante dënimin në burgun e Malandrinos, Kareli ka pasur edhe të tjera komunikime telefonike me kushëririn e tij, pasi sikurse thekson ai, mbante celular në qeli.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





