Erdhën për pushime nga Suedia dy ditë më parë, por ky udhëtim për në vendlindje mbeti i fundit për ta. Burrë e grua, Durim dhe Suada Hadri u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në një lagje të Prizrenit.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se çifti është vrarë me armë zjarri, pasi aty u gjet arma e cila më pas u konfiskua nga Policia.

Rreshteri i Policisë, Vesel Gashi, i cili raportoi rastin për Gazetën Ekspress tha se nuk kanë përfunduar akoma hetimet por dyshohet se është vrasje.

Ende nuk dihet motivi i ngjarjes.