Syzet blu të rrumbullakëta të John Lennon – të cilat ai ia dha një personi që po vizitonte studiot e “Abbey Road” – ku Beatles regjistronin këngët e tyre – do të dalin në ankand.

Syzet e stilit John Lennon – të cilat iu dorëzuan të riut qe shoqërohej nga e dashura e tij në vitin 1968 – pritet të kushtojnë 2,000 paund (2,584 dollarë) deri në 3,000 paund. Nuk dihet se kujt i përkisnin në atë kohë.

“I riu pa syzet e vendosura mbi piano dhe shkoi t’i merrte ato, por e dashura e tij i tha t’i linte, për të cilat Lennon i ishte përgjigjur: “Nuk ka problem, ai mund t’i marrë ato”, tha një zëdhënëse e shtepise se ankandit “Catherine Southon Auctioneers & Valuers”.

Syzet do të dalin në ankand së bashku me një koleksion prej 33 fotografish bardh e zi të Beatles – të shkrepura në Abbey Road në 1968 dhe 1969 – duke përfshirë një set fotografik për kopertinën e albumit të grupit.

Fotot, disa me Paul McCartney, George Harrison, George Martin dhe Ringo Starr, do të shiten – me të drejtën e autorit – për rreth 200 deri në 300 paund.

Artikujt do të dalin në ankand më 31 korrik në “Farleigh Golf Club” në Surrey.