Banorë të disa fshatrave në Prizren janë në rrezik nga sulmet e herëpashershme të një ariu, që deri tani ka shqyer dhjetëra dele. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, janë publikuar pamje që tregojnë momentin e hyrjes në qytet të kafshës. Pak ditë më parë, banorët e fshatit Pouskë mbytën tre arinj të vegjël.
Fermerët në Prizren janë përballur me një situatë të pazakontë, teksa një ari ka bërë kërdinë duke ngrënë dhjetëra dele, në fshatin Pouskë. Në rrjetet sociale po qarkullon një video, ku duket qartë ariu i uritur që shqyen delet në stallë. Kafsha gjigante ka mbytur 12 dele në një fermë, e cila ndodhet në afërsi të ish-fabrikës “Farmakos” në qytetin e Prizrenit.
Ariu ka tentuar ta sulmojë edhe pronarin e fermës, mirëpo ky i fundit është shpëtuar nga qentë e shtëpisë. Një tjetër problem është edhe afërsia e fermës me banesat e qytetarëve, që janë jo më larg sesa 30 metra.
Brenda dy muajve, ky është i katërti rast që ariu sulmon bagëtinë e fermerëve të Prizrenit, teksa ka mbërritur edhe në rrugët e qytetit. Nga videoja shihet dalja e ariut nga ujërat e lumit “Lumbardhi” që përshkon parkun natyror “Marash” tepër i frekuentuar nga qytetarët e Prizrenit.
Më herët fshatarët kishin mbytur tre këlyshë arinjsh të vegjël, dhe duket se është hakmarrje për këtë veprim.