Një emigrant nga Uzbekistani është autori i dyshuar i sulmit me kamion në New York, ku 8 persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.
Mediat amerikane raportojnë se 29-vjeçari është identifikuar si Sayfullo Saipov, një emigrant uzbek që ka shkuar në SHBA në vitin 2010.
Autoritetet në New York thanë se të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën kur një kamion u fut në një korsi biçikletash dhe shtypi çiklistë dhe këmbësorë jo larg qendrës përkujtimore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhatan.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio e cilësoi sulmin si një akt terrorist. “Ky ishte një akt terrorist, një akt terrori prej fricakacësh, drejtuar ndaj civilëve të pafajshëm”.
Autori i dyshuar i sulmit thuhet se thirri “Allahu Akbar” në momentin kur doli nga makina, raporton “BBC”.
Policia në New York e arrestoi autorin e sulmit pasi e qëlloi duke e plagosur.