Në orën 23:15 ora lokale, në koordinatat 38 14,6N dhe 26 12,5E nga radarët e anijes “Oriku” u zbulua një gomone me emigrantë në distancë 1,2 milje nga brigjet turke duke lundruar me kurs drejt ishullit Kios.

Menjëherë nga anija shqiptare “Oriku” P-132 janë marrë masat për njoftimin e komandës së grupit të gatshëm të Natos SNMG2, rojës bregdetare turke dhe njësive të Policisë Kufitare të BE Frontex.

Gomonia është mbajtur nën vëzhgim deri në mbërritjen në rajon të anijes së Frontex. Anija “Oriku” së bashku me anijen e Frontex MAI 1104 në orën 23:45 filluan operacionin për ndalimin e emigrantëve dhe marrjen e tyre në bordin e anijes së Frontex në koordinantat 38 14,5N dhe 26 07,6E.

Ky operacion përfundoi me sukses në orën 00:42 duke imbarkuar të sigurt në bordin e anijes së Frontex për regjistrim dhe verifikim nga autoritetet 52 emigrantë, nga të cilët 19 fëmijë, 8 gra, 25 burra, përkatësisht të kombësisë: 24 sirianë, 20 irakienë, 7 afganë dhe 1 palestinez.

Gjatë operacionit janë marrë të gjitha masat për sigurimin e jetëve njerëzore. Si rezultat nuk ka pasur persona në ujë, të zhdukur, të dëmtuar apo humbje jete. Emigrantët u shoqëruan për t’iu dorëzuar autoriteteve në portin e ishullit Kios.