Dalin sekuenca filmike nga vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, një ditë më parë në Bradashesh të Elbasanit.
Në këto foto të kamerave të sigurisë janë momentet kur 62-vjeçari Bujar Çela është i shtrirë në tokë pasi ka humbur jetën nga të shtënat me armë.
Ai ka qenë i ulur në tavolinën që duket në anën e majtë të fotografisë. Sipas Klan Plus, i ndjeri Bujar Çela ka tentuar fillimisht t’u shpëtojë plumbave.
Njëri prej atentatorëve qëlloi me pistoletë nga brenda makinës. Në këtë moment, 62-vjeçari Çela tentoi të largohej, por më pas u afruan dy persona të tjerë dhe e qëlluan sërish duke e lënë të vdekur në vend.
Ka qenë ora 05:45 kur ndodhi atentati me armë ndaj Bujar Çelës. Kanë qenë të paktën 2 persona të maskuar që ekzekutuan 62-vjeçarin në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.
Bujar Çela nuk ka rekorde kriminale, dhe hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të jetë mesazh për vëllanë e tij Talo Çela. Ky i fundit është në kërkim prej disa kohësh nga policia, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në grabitjet e parave në aeroportin e Rinasit, si dhe dyshohet i përfshirë në disa vrasje të ndodhur në aksin Durrës-Elbasan-Peqin.
Për vrasjen e Bujar Çelës janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni, por nuk ka asnjë të arrestuar.





