13 qershor 2015 – Partia që vajton prej muajsh vjedhjen e zgjedhjeve, kapet me prova dhe fakte duket blerë votat me miell dhe manipuluar listat e zgjedhësve. OSDBE/ODIHR tashmë ka fakte për vjedhjen e zgjedhjeve të 21 Qershorit nga PD-ja, të cilat duhet t’i pasqyrojë në raport. Kanë dalë prova të reja që implikojnë kryebashkiakun aktual të Vorës, Fiqiri Ismaili, në manipulimin e listave zgjedhore dhe në shpërndarjen e miellit në këmbim të votave.

Një kamerë e fshehtë ka kapur dëshminë e një polici, që pranon se kanë shtuar 500 veta. Polici Jaho Leka tha se ka marrë 100 mijë lekë për të shtuar emra fiktivë në listat e zgjedhjeve. Ai tha se ka bashkëpunuar për këtë me noterin Shaban Gjoka.

Nga ana tjetër, kanë dalë edhe provat e shpërndarjes së miellit. Disa ditë më parë nga Policia e Shtetit u bllokuan disa furgona të mbushur me sasi të mëdha thasësh me miell deri në 125 të tillë. Kjo sepse pas kontrollit që iu bë faturave që shoqëronin mallin rezultuan pasaktësi të çuditshme. Pas investigimeve arritëm të siguronim një kopje të këtyre faturave dhe fotot e njërit prej furgonave të bllokuar. Në faturën tatimore dallohet qartë se kompania “Agro Blend” në pronësi të kryebashkiakut të Vorës, Fiqiri Ismaili, i ka shitur rreth 25 kuintalë miell një “individi”, që nuk ka numër NIPT-­i. Shkelja qëndron në faktin se shitja në këto sasi mund të bëhet vetëm nga subjekte që tregtojnë mallra me shumicë dhe jo nga individë. Në një tjetër faturë tatimore të kompanisë “Agro Blend” që fakton shitjen e një sasie prej 10 kuintalësh miell personit me emër Ajet Spaho, aty ku duhet të ishte numri i NIPT-­it të subjektit blerës është shënuar  “s’ka”.  

Gjithashtu, dyshimet për fatura fiktive shtohen edhe më shumë nëse i referohemi çmimit që “Agro Blend” ka aplikuar në shitje për individ, pra konsumatorin final, që është 23.4 lekë në faturat e zbuluara. Ky çmim është disa herë më i ulët krahasuar me çmimin mesatar të konsumit publikuar nga Instituti i Statistikave në muajin mars që është 159.7 lekë për kg, duke shtrembëruar konkurrencën dhe deklaruar më pak për buxhetin e shtetit. Këto janë konstatimet e një kontrolli që janë bërë ditën e djeshme.

/Sot News/