Tërmeti i bursave që pasoi referendumin britanik për daljen nga Bashkimi Europian u ka kushtuar investitorëve të tregjeve të kapitalit plot 2 trilionë dollarë. Kjo është shifra e përllogaritur nga agjencia Standard and Poors për humbjen e bursave në 24 orëshin pas vendimit të Brexit, një shifër e barabartë me 2.7% të Prodhimit të Përgjithshëm Botërore.

Artan Gjergji, ekspert për tregjet e kapitalit: Humbja që ndodhi në bursën ndërkombëtare ka të bëjë me zhvlerësimin e pozicioneve të tyre. Rënia e çmimit vjen nga shkaku i panikut dhe tendencës për të shitur të gjithë.

Ndërsa tregjet e aksioneve ranë ndjeshëm, vlera e metaleve të shtrenjta dhe kryesisht arit u rrit. Ekspertët shpjegojnë se në kohë paniku e krizash, ari konsiderohet si një investim i sigurtë.

Artan Gjergji, ekspert për tregjet e kapitalit: Vlera e arit është rritur me 22 %. Metalet e çmuara si floriri e platini konsiderohen si një gji i ngrohtë karshi stuhive kur kthehen investitorët, jo për të fituar ndonjë para të madhe, por i mundësojnë një oaz qetësie.

Ekspertët shpjegojnë se situata e bursave mbetet ende e paqartë dhe gjithcka do të varet nga negociatat mes Britanisë së madhe dhe Bashkimit Europian.

“Luhatjet në treg do vazhdojnë për aq kohë sa politika do të jetë e paqartë në lidhje me fatin e Britanisë së Madhe. /Ora News/