Një dallgë anormale, që është përplasur në bregdetin e Zandvoort, Hollandë, ka shkaktuar panik tek pushuesit. Dallga, 2 metra e lartë, ka marrë përpara shezllonet dhe çadrat. Kaosi i shkaktuar në plazh duket shumë qartë nga një video amatore, autori i së cilës, ndërsa filmon, përsërit shpesh fjalën tsunami.
Sipas medieve lokale, fatmirësisht dallga nuk ka shkaktuar të plagosur, por vetëm dëme materiale.
Fenomeni natyror, që regjistrohet rrallë, quhet tsunami i motit dhe shkaktohet nga kushtet atmosferike, që ndryshojnë në mënyrë shumë të shpejtë. Një anticiklon i fortë, i regjistruar në oqean, ishte shkaktar për dallgën e lartë, që u përplas në bregdetin hollandez. Një fenomen i ngjashëm ishte regjistruar në vitin 2006, në Hollandë.





